Aplikacion
Ajo ka rrëfyer se ata nuk donin të ndërtonin jetën së bashku dhe e kishin tmerr të martohej me djalin e tyre për shkak se Zamira ishte artiste.
Aktorja tregoi se pasi vendosën të kalonin jetë së bashku nëna e bashkëshortit ia hapi derën, kurse babai i tij vdiq pa i folur asnjëherë.
“Ata nuk më kanë dashur kurrë, në fillimet e dashurisë, jo vetëm që nuk më kanë dashur por e kanë pasur tmerr që ai do të martohej me mua. Nuk donin në asnjë mënyrë që ai të ndërtonte jetën me mua. Sot e kuptojnë sa e kam dashur unë Benin. Nuk i vë faj sepse prindërit kërkojnë më të mirën për fëmijën e vet.
Donin që Beni të ishte me një vajzë tjetër, që të mos ishte artiste, por nuk e kuptonin që kjo artiste do t’i jepte shumë dashuri.
Nëna e tij kur ne vendosëm të martoheshim më priti dhe më tha që të do djali, edhe unë do të dua. Më tha të kërkoj falje për ndonjë fjalë, se i merrja në telefon ku kërkoja Benin por ma mbyllnin.
Kurse babai i Benit nuk më foli kurrë (qan), ndërroi jetë dhe nuk ma dha dorën kurrë. Ndërkohë kur ai ishte sëmurë, Beni ishte në spital dhe unë jam kujdesur shumë për të. I dërgoja infermierin dhe ushqime. Ishte një burrë me karakter. Ai vdiq duke e marrë përkushtimin tim”, rrëfeu aktorja në podcastin e “Zë me Mirën”.
Zamira Kita u shpreh se pas njohjes me bashkëshortin ishte e gatshme të hiqte edhe dorë nga karriera si aktore.
Por, i shoqi vendosi që ajo të dilte në skenën e teatrit dhe të mos largohej nga profesioni i saj.
“Që pas njohjes me Benin fillova të frenohem, madje kam lënë edhe role në teatër e film sepse nuk i pëlqenin atij. Isha gati të lija cdo gjë për të dhe kur vendosëm të martoheshim ia kam thënë, mjafton të jemi bashkë e të rrisim vajzën, e unë të vdes me ty. Kaq më mjaftonte, por më tha që s’duhet ta lija teatrin, por të jetonim në Korçë sepse kishte ngritur biznes atje.
Sot them si e kam thënë, nuk e di a do ta bëja. Jeta ime atje ka qenë e vështirë. Beni nuk ishte xheloz por kishte frikë problemin e gjykimit atje. Do të flisnin”, tha ajo.