Aplikacion
Gjatë pjesëmarrjes në Samitin për Demokraci të Kopenhagës, Osmani tha se demokracia në botë është në sprovë, pasi sipas saj, autokratët po sulmojnë vazhdimisht vlerat demokratike. Ajo tha se Kosova e sheh të ardhmen e saj në familjen euroatlantike dhe nuk do të ndalet së punuari në rrugën drejt integrimit euroatlantik. Por, sipas Osmanit, Serbia fqinje po përpiqet të ndihmojë presidentin rus, Vladimir Putin, që të shtyjë përpara agjendat e tij në Ballkanin Perëndimor.
“Siç e dini, Kosova kufizohet me Serbinë, vend që jo vetëm së voni, por sidomos së voni është dëshmuar të jetë dorë e zgjatur, shumë besnike e Rusisë, që përpiqet të luajë me ato lojërat e [presidentit rus, Vladimir]Putinit në Ballkan Perëndimor duke hapur një front të ri ndaj Perëndimit”, tha Osmani.
“Sepse ky efekti shpërndarës me të cilin Rusia do të arrinte shpërqendrimin e vëmendjes nga Ukraina, kjo do të ishte shumë e nevojshme për ta. Pra, puna që mbajmë bashkë me aleatët tanë, sepse siç e dini kemi një prani të NATO-s në Kosovë, për të siguruar që Kosova të mbetet e sigurt e stabile, është një gjë që bëjmë çdo ditë, çdo orë”, shtoi presidentja e Kosovës.
Serbia ka raporte miqësore me Rusinë dhe është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që u ka rezistuar thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare që të vendosë sanksione kundër Moskës për shkak të luftës së paprovokuar ndaj Ukrainës. Megjithatë, Serbia ka mbështetur disa rezoluta në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që kanë dënuar pushtimin rus të Ukrainës.
Gjatë samitit në Kopenhagë, Osmani tha se Kosova ka rritur bashkëpunimin me aleatët e saj për të zmbrapsur çdo qëllim “destabilizues në kufirin verior” – duke iu referuar kufirit me Serbinë. Në këtë kontest ajo përmendi sulmin e organizuar vitin e kaluar nga një grupi të armatosur serbësh në Banjkës të Zveçanit.
“Vitin e kaluar patëm një sulm të tillë, ishte një sulm paramilitar që shkoi deri në akt të agresionit nga Serbia, por që arritëm ta kthenim mbrapshtë përkundër madhësisë së sulmit, sepse bashkëpunuam me aleatët tanë”, tha Osmani, duke mos përjashtuar mundësinë që një sulm i ngjashëm të përsëritet në të ardhmen. Gjatë sulmit në Banjskë u vra një rreshter i Policisë së Kosovës dhe në shkëmbimet pasuese të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë. Kosova ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit. Pas sulmit, autoritetet në Kosovë kishin thënë se po hetonin përfshirjen e mundshme të Rusisë me sulmin në Banjskë të Zveçanit. Zyrtarët e lartë në Kosovë vazhdimisht kanë thënë se Serbia mbështet agjenda destabilizuese të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.
Në anën tjetër, presidenti rus, Vladimir Putin, disa herë ka përmendur Kosovën, kur ka justifikuar nisjen e pushtimit të Ukrainës fqinje. Por, një krahasim të tillë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si injorancë. /REL/
“Kalova në depresion për një plehrë”/ Fjolla Morina për Fisnik Sylën: Kurrë nuk ia bëj hallall