Aplikacion
Ky premtim nuk është vetëm i pabazë, por edhe një përpjekje për të manipuluar pritshmëritë e qytetarëve. Shqiptarët duhet ta analizojnë atë me kujdes, për të mos rënë pre e iluzioneve, duke i dhënë 4 vjet të tjera pushtet një prej qeverive më të korruptuara në historinë e Shqipërisë. Rezultati i këtyre 4 viteve do të ishte jo i panjohur, duke parë 3 mandatet e tjera, ku pasuria dhe pushteti i zyrtarëve, të korruptuarve, trafikantëve dhe kriminelëve është shtuar me disa herë, ndërsa ajo e shqiptarëve të ndershëm është pakësuar dhe mijëra të rinj vazhdojnë të largohen çdo muaj nga vendi.
Një premtim i pabazë
Procesi i integrimit europian dhe dhënia e pasaportave të BE-së nuk varen nga një individ i vetëm, aq më pak nga një kryeministër. Ky është një proces kompleks që kërkon reforma të thella, përmbushje të kritereve të rrepta dhe një angazhim të përbashkët nga të gjitha institucionet e shtetit.
Premtimi i Ramës është një përpjekje për të krijuar një iluzion të kontrollit mbi një proces që është jashtë kompetencave të tij. Për më tepër, një shqiptarë i varfër me pasaportë europiane nuk do të përbëntë asnjë ndryshim në realitetin shqiptar. Do të ishte disa herë më mirë e kundërta, ku prosperiteti ekonomik, të drejtat dhe një jetësë e sigurt në Shqipëri të mos këmbeheshin me lirinë për të lëvizur, por për të mos pasur mundësinë për t’u integruar asgjëkundi.
Realiteti ekonomik dhe social
Për të kuptuar pse ky premtim është i pabesueshëm, mjafton të shohim realitetin e përditshëm të shqiptarëve: pagat dhe standardin e jetesës.
Pagat e ulëta dhe rritja e kostove të jetesës kanë bërë që shumë shqiptarë të mos përballojnë dot nevojat bazë. Një ekonomi që nuk ofron mirëqenie për qytetarët e saj nuk mund të pretendojë të jetë gati për standardet e BE-së.
Pasi Edi Rama e heq nga dora pasaportën shqiptare që u tund nëpër ekrane duke u premtuar se në faqen e saj të parë të të shkruhet “Europian Union – Republic of Albania, qytetarët shqiptarë shohin një realitet tjetër. Në shtëpitë e tyre ata nuk kanë ende ujë të pijshëm të rrjedhshëm, por ai u vjen me orar pasi grumbullohet më parënga tarracat e mbushura me depozita.
Kë të besojnë, tundjen e pasaportës apo rubinetin bosh e shpesh me ujë që u çan hundën nga aroma e klorit? Cili vend i BE-së, cili qytetar europian që ka pasportën ku shkruhet “Europian Union” ka ujë me orar dhe me depozita në shtëpinë e tij? Nga Malta, Qipro, deri në skajin verior të kontinentit, as edhe një! Shqipëria është më pranë Afganistanit në këtë drejtim dhe shuëm larg standardeve të BE-së.
Korrupsioni, pastrimi i parave, administrata dhe ekonomia e deformuar
Korrupsioni ka prekur nivelet më të larta të qeverisjes, duke e bërë të pamundur kryerjen e punëve pa ryshfet apo lidhje personale. Shqiptaërt duan të kenë në Shqipëri një administartë europiane dhe jo ta gjejnë atë në emigracion me pasaportën europiane në dorë.
Paratë e drogës dhe korrupsionit ndërtojnë kulla në Tiranë e resorte në bregdet, ndërsa qytetarët e zakonshëm nuk mund të përballojnë dot blerjen e një apartamenti, as në periferitë e metropolit. Kush merr një pagë mesatare, nuk mund të blejë më një apartament me kredi as në Fresk e as në Yzberisht. Pasporta europiane nuk ka asnjë fuqi ta ndryshojë këtë realitet, aq më pak iluzioni i saj.
Nëse Edi Rama do të jetë kryeministër pas 11 majit, 12 maji nuk do të ketë asnjë ndryshim me 14 marsin, ditën kur Rama nisi t’u tundë para syve shqiptarëve pasaportën e ëndrrave.
Ajo që ka ndodhur e do të vazhdojë të ndodhë në Shqipëri është vazhdimi i një realiteti të deformuar, që favorizon ata që shkelin ligjin përballë njerëzve të ndershëm. Dhe ku më shumë qartë se gjatë qeverisjes së Edi Ramës e kemi parë këtë?
Shqipëria është përballur me një rritje alarmante të kriminalitetit dhe pastrimit të parave, si një plagë kombëtare e dekadës së fundit. Sektorë të tërë ekonomikë, si ndërtimi dhe turizmi, janë bërë pika kryesore për injektimin e parave të pista që vijnë kryesisht nga trafiku i drogës.
Krimi i organizuar lulëzon pa pengesa, ndërsa drejtësia mbetet shpesh e pafuqishme për të ndërhyrë, duke krijuar një klimë të pasigurt për qytetarët dhe bizneset e ndershme.
Paratë e drogës, që shndërrohen në investime të dukshme, si ndërtesa luksoze dhe biznese të dyshimta, jo vetëm që minojnë konkurrencën e ndershme, por edhe thellojnë pabarazinë sociale.
Korrupsioni në nivelet më të larta të qeverisjes është një pengesë e madhe për zhvillimin dhe mirëqenien e shqiptarëve, pasi pasuron pakicën dhe varfëron shumicën.
Pa një luftë të sinqertë kundër korrupsionit, përparimi drejt standardeve të BE-së do të mbetet vetëm një ëndërr e largët dhe pasaporta europianë vetëm sa do të largojë më shumë të rinj nga Shqipëria, duke ua lënë vendin emigrantëve nga Filipinet e Bangladeshi, siç ka ndodhur në mjaft sektorë.
Propagandë me ëndrra
Premtimi për pasaportën e BE-së s’është gjë tjetër veçse një strategji për të larguar vëmendjen nga këto probleme reale me të cilat përballet çdonjëri prej nesh. Është një përpjekje për të manipuluar qytetarët me një premtim që nuk ka asnjë bazë reale dhe nuk e ndryshon dot atë që është instaluar prej vitesh në Shqipëri.
Sali Berisha e futi Shqipërinë në NATO dhe hoqi vizat me vendet e Bashkimit Europian, por qytetarët nuk e votuan, sepse realiteti për ata në Shqipëri nuk ishte ai që kishin pritur: një vend me drejtësi, ku secili të ndihet i barabartë përpara ligjit dhe mundësive, ku kriminelët të trajtohen si të tillë dhe jo t’i shohim deputetë, kryetarë bashkish apo duke drejtuar drejtori të rëndësishme, ku në arsim të ketë arsimtarë me meritë dhe jo militantë partish, ku mjekët të kenë paga dinjitoze dhe të qëndrojnë për të punuar në Shqipëri dhe t’i shohim pacientët nga xhepat apo të emigrojnë në Gjermani, ku policët të mos jenë të egër me qytetarët e thjeshtë nga njëra anë dhe puthadorë të krimit nga ana tjetër.
Një Shqipëri e korruptuar me pasaporta europiane u shërben vetëm atyre që vazhdojnë ta vjedhin këtë vend, por jo qyetarëve të ndershëm që nuk shohin dot më fije shpresë për të ndërtuar të ardhmen e tyre në këtë vend, përveçse duke u bërë servilë të pushtetit apo bashkëpunëtorë në krim me pushtetarët e korruptuar që po shtohen sa me listat e deputetëve aq me punësimet në shtet. /Zoom.al