zoom

Politikë

Pranga në Bashkinë e Tiranës për inceneratorin, gati arrestimi i disa drejtorëve

Zoom.al mëson ekskluzivisht se SPAK ka prerë 15 fletëarreste për disa zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, pasi ka gjetur prova se ata janë të implikuar në aferën e Inceneratorit të Tiranës.

Mësohet se njëri prej drejtorëve është i afërt me kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj. Drejtori në fjalë ka pasur lidhje dhe përgjegjësi direkte me Inceneratorin e Tiranës. SPAK madje ka zbuluar disa komunikime mes tij dhe pronarëve të inceneratorit.

Dy prej emrave të tjerë, për të cilët është lëshuar urdhërarrest janë Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Mërtiri dhe Zoto akuzohen se përmes faturave të falsifikuara të TVSH-së kanë marrë rreth 409 milionë lekë.

Sipas SPAK-ut ka rezultuar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët e vërtetë të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila më 31 gusht 2017 ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë me kosto të investimi të parashikuar në kontratën koncesionare në vlerën 128,248,330 Euro (njëqind e njëzet e tetë milion e dyqind e dyzetë e tetë mijë, e treqind e tridhjetë) pa TVSH.

Sipas prokurorisë, nga hetimi “ka rezultuar se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”.”

Këto janë arrestimet e para që SPAK-u bën për Inceneratorin e Tiranës, ndonëse konsiderohet më voluminozi dhe hetimet për të vazhdojnë prej disa kohësh, teksa opozita ka kërkuar edhe arrestimin e Erion Veliajt./ Zoom.al