zoom

Aktualitet

Policia zbulon plantacionet me mbi 6 mijë rrënjë hashashi në malësinë e Shkodrës, një i arrestuar

Policia në Shkodër njoftoi sot se ka përfunduar operacionin e koduar “Territor i pastër”, duke asgjësuar në total 6201 fidanë kanabis sativa, teksa është arrestuar edhe autori i dyshuar i mbjelljes së drogës.

Në pranga ra M.L 29 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri.

“Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, gjenden dhe asgjësohen 6201 fidanë të dyshuar kanabis. Policia identifikon dhe vë në pranga autorin e dyshuar të kultivimit në malin e Shoshit, të 835 prej këtyre fidanëve.

Në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Territor i pastër”, kundër kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, kanë vijuar intensivisht kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kësaj veprimtarie kriminale. Gjatë kësaj faze të megaoperacionit:

në malin e Shoshit, u gjetën 835 fidanë kanabis. Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve profesionale policore, u identifikua, u kap dhe u arrestua autori i dyshuar, shtetasi M. L., 29 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri”, tha policia vendore.

Kontrollet kanë vijuar më tej në territorin e njësive administrative Shosh, Shalë, Pult dhe Postribë, Shkodër, u gjetën në total 4902 fidanë kanabis. Po në vijim të  kontrolleve në territorin e njësisë administrative Temal, Vau i Dejës, u gjetën 244 fidanë kanabis, ndërsa në territorin e njësisë administrative Gjegjan, Pukë, u gjetën 220 fidanë kanabis.

“Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të këtyre fidanëve kanabis. Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia. /ZOOM.AL/