Aplikacion
Një ndjekje nga policia para mesnatës kanë qenë momentet e fundit të jetës së një 32-vjeçari në Tiranë. I riu i identifikuar si Lear Kurti ishte në rrugën “Riza Cuka” rreth orës 23:07 të mbrëmjes së të mërkurës kur policia i ka bërë thirrje për të ndaluar. Sapo i kërkuan të paraqiste dokumentet e identifikimit, Kurti ia mbathi me vrap. Pas këtij veprimi, forcat blu i janë vënë në ndjekje të riut për rreth 300 metra derisa arritën ta ndalonin në rrugën “Don Bosko”, duke kryer më pas edhe shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë. Por gjatë rrugës për në ambientet e komisariatit, 32-vjeçari ka shfaqur probleme shëndetësore, kryesisht dridhje. Sapo ka zbritur nga makina e policisë, gjendja e tij është përkeqësuar ndaj policia ka njoftuar ambulancën. Duke qenë se po vonohej, vendosën që ta transportonin vetë për në spitalin e Traumës, ku mbërriti pa shenja jete. I riu ndërroi jetë në duart e policisë, por rrethanat mbeten ende të paqarta dhe pritet të zbardhen nga ekspertiza.
Po ky nuk është rasti i parë që qytetarët “i ngelin në duar” policisë. Ilvi Meta, 31 vjeç ndërroi jetë në muajin Maj në Komisariatin e Kavajës. I riu u tha zytarisht se kreu vetëvrasje me lidhësen e kapuçit të xhupit sportiv brenda qelisë, disa orë pasi ishte arrestuar për vjedhje. Në atë kohë opozita bëri akuza të forta duke thënë se i riu nuk vrau veten, por ndërroi jetë si pasojë e dhunës barbare që ushtruan punonjësit e policisë.
Ndërkohë pak kohë para kësaj ngjarjeje të rëndë, një tjetër u regjistrua në komisariatin e Kamzës. Një person i ndalur ndërroi jetë si pasojë e luftës me flakët brenda komisariatit nr. 5 në Kamëz. Policia u akuzua se nuk kishte bërë kontrollet e nevojshme, pasi rezultoi se i riu kishte ndezur qëllimisht zjarrin brenda qelisë.
Por sikur të mos mjaftonin këto ngjarje të dyshimta, një polic u bë protagonist i një vrasjeje duke u kthyer në kontingjent kriminal. Më 23 Maj Komisariati Nr.3 në Tiranë u shndërrua në një vend krimi! Efektivi i policisë, Ludjan Zaimi 25 vjeç qëlloi për vdekje 6 herë me armën e shërbimit kolegun e tij, Çaush Saliasi, 55 vjeç, të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme. Saliasi u dërgua me urgjencë në spital, por për fat të keq ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Sakaq ngjarja më tronditëse për opinionin publik ishte vrasja e të riut Klodian Rasha nga ana e policisë. Klodian Rasha ishte një i ri 25-vjeçar, i cili u vra në Tiranë nga një efektiv i Policisë së Shtetit më 8 dhjetor 2020. Polcia u vu në ndjekje të tij dhe më pas në një moment oficeri i policisë Nevaldo Hajdaraj e qëlloi të riun me dy plumba, një në shpatull dhe një në kokë, duke e plagosur rëndë. Klodiani më pas ndërroi jetë në spital. Vrasja e 25 vjeçarit shkaktoi reagime të shumta në Shqipëri. Sipas xhaxhait të viktimës, Klodiani nuk kishte armë dhe se ai kishte vetëm dy hurma me vete, ndërsa babai i Klodianit kërkoi që drejtësia të vihej në vend Gjithashtu pati reagime nga politikanë dhe figura të tjera publike që dënuan vrasjen e Klodian Rashës. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u shpreh se ngjarja duhej të zbardhej sa më shpejt. Protesta kundër policisë dhe qeverisë u zhvilluan në Tiranë dhe Shkodër. Më 9 dhjetor 2020 në orët e mbrëmjes u zhvillua një protestë e dhunshme përpara godinës së Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministrit Sander Lleshaj si dhe drejtësi për Klodianin. Gjatë protestës, protestuesit qëlluan godinat qeveritare me gurë dhe sende të tjera të forta si dhe dogjën dhe shkatërruan një bredh Krishtlindjesh pranë Kryeministrisë dhe një bredh tjetër ne sheshin “Skënderbej”. Gjithsej tetë oficerë policie u lënduan gjatë përplasjeve fizike me protestuesit. Në fund, protesta u shpërnda nga policia me anë të gazit lotsjellës.