Aplikacion
Në Shqipëri, situata e rendit dhe sigurisë publike vijon të jetë një nga çështjet më të debatueshme, ndërkohë që Policia e Shtetit, e drejtuar nga Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda, po përballet me kritika të ashpra për mungesën e rezultateve konkrete në luftën kundër grupeve kriminale.
Megjithëse aksionet e fundit të RENEA-s dhe FNSH-së në Pogradec, Elbasan dhe Fushë-Krujë u propaganduan si operacione madhore, ato nuk kanë çuar në arrestimin e asnjë krimineli të rrezikshëm, duke lënë qytetarët me dyshime të thella mbi efektivitetin dhe seriozitetin e këtyre aksioneve.
Shqiptarët ndihen të zhgënjyer, pasi grupet kriminale më të mëdha, që veprojnë në Shkodër, Lezhë, Durrës, Dibër, Elbasan dhe Vlorë, mbeten të paprekura. Strategjia aktuale e policisë nuk ka dhënë rezultate të dukshme, duke ngritur pikëpyetje serioze: Çfarë po ndodh me prioritetet e Drejtorit të Përgjithshëm? A ekziston vërtet një plan konkret për të goditur rrjetet kriminale, apo po shohim vetëm operacione të rreshtuara për kamerat?
Emërime që nxisin dyshime
Ilir Proda është kritikuar gjerësisht për mënyrën e drejtimit të policisë, duke preferuar të emërojë persona të afërt ose ish-bashkëpunëtorë të tij në pozita kyçe. Një nga shembujt më të përfolur është emërimi i ish-shoferit të tij si shef komisariati, një vendim që ka nxitur reagime të forta në radhët e opinionit publik dhe të vetë strukturave policore. Ky veprim është parë si mungesë meritokracie dhe si një përpjekje për të siguruar një rreth njerëzish të besuar për interesa personale.
Burime brenda policisë kanë pohuar për Zoom.al se Proda shpesh anashkalon zinxhirin hierarkik, duke komunikuar drejtpërdrejt me shefat e komisariateve dhe duke u dhënë atyre udhëzime të caktuara. Kjo praktikë, e cila krijon kaos në strukturat organizative, shton dyshimet se vendimet e tij nuk janë gjithmonë në interes të qytetarëve, por ndonjëherë mund të jenë të diktuara nga interesa të tjera.
Ku janë Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri?
Në këtë situatë alarmante, pyetja që ngrihet është: Çfarë po bën Ministri i Brendshëm dhe Kryeministri për të garantuar funksionimin profesional dhe të pavarur të Policisë së Shtetit? Si lejohet që një institucion kyç për sigurinë e qytetarëve të veprojë nën dyshimet për nepotizëm, mungesë transparence dhe efikasitet? Deri kur do të zgjasë kjo situatë?
Shqipëria ka nevojë për një polici profesionale, të pavarur dhe të orientuar drejt shërbimit të qytetarëve. Çdo veprim apo vendim që minon këtë mision është një tradhti ndaj detyrës dhe qytetarëve.
Pyetja më e rëndësishme mbetet: A është Ilir Proda i aftë të drejtojë Policinë e Shtetit, apo është koha për një ndryshim rrënjësor në strukturat e rendit? Përgjigja nuk mund të shtyhet më gjatë, ndërkohë që qytetarët kërkojnë llogaridhënie, transparencë dhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit./ Zoom.al