zoom

Kosova

Policia e Kosovës aksion në Veri/ Gjenden armatime të rënda, veshje ushtarake dhe municione

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në paraditen e së premtes ka nisur një aksion në fshatin Rodel të Leposaviqit – pas marrjes së informacioneve nga terreni – i cili ka rezultuar me konfiskim të uniformave ushtarake, armëve dhe municioneve, dhe që mbrapa tyre janë pjesëtarë të organizatës, Mbrojtja Civile – e shpallur terroriste nga autoritetet e Kosovës.

Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se aksioni është duke vazhduar, ndërsa një person është shoqëruar në stacionin policor për t’u intervistuar.

Si Hoxha, ashtu edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, kanë thënë se konfiskimet dëshmojnë se pjesëtarë të organizatës Mbrojtja Civile vazhdojnë të jenë aktivë në territorin e Kosovës.

“Serbia vazhdon të strehojë terroristin Millan Radoiçiq, i cili është kupola e gjithë këtij organizimi, i cili po mundohet që mbetjet e grupeve terroriste të vazhdojë t’i mbajë të gjalla, qoftë në Serbi, ashtu edhe në Kosovë”, ka thënë Sveçla.

Ai ka thënë se Policia do të kryejë hetime për të kuptuar se kush janë anëtarët e grupit të angazhuar në atë zonë.

“Policia e Kosovës është e aftë për t’u përballur me këto mbetje, dhe këtë po e dëshmon çdo ditë, nuk jemi të frikësuar, jemi të kujdesshëm që çdo grupacion që vepron në Kosovë, të përballet me policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin”, ka thënë Sveçla.

Millan Radoiçiq akuzohet nga autoritetet e Kosovës se qëndron mbrapa organizimit dhe kryerjes së sulmit në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023. Për pasojë është vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës.

Radoiçiq besohet se është i lirë në Serbi.