zoom

Aktualitet

Polici i Rinasit lejoi të miturin të largohej pa prokurën e babait, AMP e pezullon dhe heton

Një efektiv i Policisë Kufitare Rinas e ka pësuar keq.

Jo vetëm është pezulluar nga detyra, por edhe i është dhënë masa “detyrim paraqitjeje” nga Gjykata e Tiranës, për shpërdorim detyre, pasi lejoi një të mitur të ikte nga vendi pa prokurën e babait.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve të kryera për llogari të procedimit penal të vitit 2023, ka zbatuar Urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “detyrimi për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj punonjësit të policisë, Inspektor A.D., 31 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “shpërdorimi i detyrës”.

Masa e sigurimit personal është marrë pasi gjatë periudhës që ka qenë në detyrë si N/Specialist Kontrollor në Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, ka rezultuar se ky punonjës ka lejuar daljen nga territori i Republikës së Shqipërisë të një të mituri, i cili nuk ka qenë i pajisur me prokurë nga babai i tij. /ZOOM.AL/