zoom

Aktualitet

Po hynte me 11 kg heroinë në Shqipëri, pranga në Morinë kosovarit. Hetime për grupin kriminal

Po tentonte të hynte në Shqipëri me makinën e mbushur me 11 kg heroinë me vlerë rreth 500 mijë euro në tregun e pakicës, finalizohet operacioni policor i koduar “Koordinimi” dhe arrestohet kosovari i dyshuar.

Policia e Kukësit konfirmoi goditjen në pikën kufitare të Morinës, bashkë me shërbimet kufitare të Kosovës.

U sekuestrohen 11 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë dhe automjeti tip “Volkswagen” ku u gjet kjo lëndë.

Në pranga ra 39-vjeçari nga Kosova, i cili transportonte lëndën narkotike të ndarë në pako.

“Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me shërbimet doganore të PKK Morinë, me shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës dhe të Kosovës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të tentativës për të trafikuar lëndë narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Koordinimi”.

Gjatë operacionit, në hyrje të Shqipërisë, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi kosovar A. K., 39 vjeç, banues në Pejë”, tha policia.

Vijojnë hetimet e përbashkëta për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/