zoom

Aktualitet

Pluhuri saharian mbyt Tiranën! Situatë alarmante, shmangni daljen jashtë dhe vendosni maskë

Ditën e sotme, Shqipëria u zgjua nën temperatura të larta, e pushtuar kështu nga erëra të forta të Saharasë, që përpos nxehtësisë sollën edhe një mjergull pluhuri.

Teksa vendet që pritet të goditen me fort janë Malta, Greqia, si dhe Italia e jugut, probleme sot me dendësinë e pluhurit ka jo pak, por edhe vendi ynë.

Sipas “IQAir” (website i specializuar në përllogaritjen e ndotjes së ajrit) situata momentale në Tiranë është alarmante. Shifrat e pazakonta tregojnë se ndotja në kryeqytet është aktualisht 9.8 herë më e lartë se vlera udhëzuese vjetore e cilësisë së ajrit sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH).

 

View this post on Instagram

 

A post shared by zoom.al (@zoom.al)

Si pasojë e fenomenit saharian, sot bie në sy regjistrimi rekord i AQI (cilësia dhe shkalla e ndotjes së ajrit) me 134.

*Shënim: PM2.5 është një lloj ndotjeje ajri, që përbëhet nga grimcat e vogla të ndotura në ajër me diametër 2.5 mikrometra ose më pak. Këto grimca mund të jenë të dëmshme për shëndetin, pasi mund të depërtojnë thellë në mushkëri dhe t’u shkaktojnë probleme shëndetësore banorëve.

Ajri cilësohet momentalisht në Tiranë si “i pashëndetshëm”, ku personat e ndjeshëm (përfshirë këtu ata që vuajnë nga astma apo probleme të tjera të rrugëve respiratore) mund ta ndjejnë menjëherë diferencën. Megjithatë probleme me frymëmarrjen mund të shfaqë edhe pjesa tjetër, teksa këshillohet që të shmangen sa më shumë aktivitetet jashtë shtëpisë. Mos u ekspozoni në mjedise të jashtme dhe mundohuni të mbani një maskë mbrojtëse. Po kështu mbani dritaret e shtëpisë apo zyrës mbyllur, si dhe xhamat e makinës.

Pre e pluhurit saharian kanë rënë përgjatë ditës së sotme të gjitha qytetet e vendit, por Tirana mban rekordin e ndotjes së ajrit, ku teksa pjesa tjetër shënon një situatë të moderuar (vlerësimi është nën 100 AQI), kryeqyteti shfaq një gjendje të rënduar dhe kërcënuese për personat e ndjeshëm dhe jo vetëm.

Ndonëse situata e sotme vjen si pasojë e fenomenit afrikan, çështja e ndotjes së ajrit në Tiranë është tepër e ndjeshme. Disa ditë më parë ishte Rithemelimi i PD-së që denoncoi me shifra shkallën e lartë të ndotjes dhe pasojat që shkaktoheshin te fëmijët.

“Të thithësh vdekjen” do ta cilësonte pak kohë më parë raporti i vullnetarëve “Mushkëri të Gjelbra për qytetet tona”, jetesën në Tiranë.

Zoom.al ka denoncuar gjithashtu me pamje dhe dëshmi, ndotjen shqetësuese, veçanërisht për zonat jashtë Unazës, ku pluhuri, llumi dhe mbeturinat kanë zaptuar lagjet./ Zoom.al