Aplikacion
Kjo godinë do të kthehet tani në një hotel plot drita dhe në një kompleks rezidencial. Nga të gjitha vendet e mundshme, investitorët janë nga…Amerika, armiku i vjetër i Beogradit.
Por ata nuk janë financues të zakonshëm nga Amerika. Është Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, ish-këshilltar i lartë i tij dhe drejtues i “Affinity Parters”, fondi i investimeve, që mbështet nga Arabia Saudite, me negociator Richard Grenell.
Sipas ekspertëve, kjo marrëveshje, është një rast studimor se si një vend i vogël po përgatitet për mundësinë e rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë. Është edhe një vëmendje e shtuar e perëndimorëve ndaj Serbisë, si tentativa për ta larguar nga “shpirti i saj binjak”, Rusia.
Aleksandar Vuçiç, presidenti i Serbisë që nga 2017-a, këmbëngul se marrëveshja është tërësisht biznes dhe hedh poshtë idenë e një quid pro quo. “Jam shumë krenar për këtë”, thotë ai për Financial Times. “Kjo do të sjellë më shumë investitorë dhe më shumë njerëz në Beograd. Pastaj do të kemi një hotel Trump, një hotel Ritz-Carlton … Do të kemi gjithçka shumë shpejt. Ata njerëz që negocionin në emër të amerikanëve ishin shumë profesionistë. Kërkesat e tyre nuk ishin të lehta.”
Por marrëveshja duket dhe shumë politike; ortaku është shteti serb. Kjo e çon Vuçiç më pranë Shtëpisë së Bardhë, në rast se kolegu i tij nacionalist, Donald Trump, fiton zgjedhjet në nëntor.
Grenell, një aleat i Trump, që përflitet si një sekretar potencial i shtetit, nëse Trump fiton, e pati dhënë idenë e një investimi të tillë në Beograd, që kur ishte i dërguar i Trump në Ballkan. Vizioni tij ishte më i gjerë, ai kërkonte tërheqjen e Serbisë drejt sferës perëndimore dhe dobësimin e lidhjes së saj me Rusinë. Grenell-it i pëlqen ta prezantojë si një ndihmë për marrëdhënien SHBA-Serbi.
“Mendoj se kemi bërë hapa të rëndësishëm në largimin e Serbisë nga influenca ruse dhe kineze, dhe e kemi afruar me SHBA-në”, thotë ai. “Ka ende për të bërë dhe unë do të bëjë të pamundurën”.
Për të shmangur kritikat ndaj marrëveshjes nga lobi i fuqishëm nacionalist serb i krahut të djathtë, i cili është pro Moskës, investitorët janë zotuar të ndërtojnë në vend një memorial për viktimat e bombardimeve të NATO-s, në konsultim me arkitektët serbë.
Njëkohësisht, Kushner po planifikon të investojë në një projekt turistik luksoz në Shqipërinë e afërt për kënaqësinë e kryeministrit të saj, Edi Rama. “Ne kemi nevojë për super luks, ashtu si një shkretëtirë ka nevojë për ujë”, thotë Rama, duke shtuar se Kushner dhe Grenell propozuan projektin në Shqipëri përpara se të vendosnin për të investuar në Serbi. I vetmi ndryshim, shton ai, është se në Shqipëri ishte Kushner, jo Grenell, ai që bëri qasjen fillestare. “Në Serbi sigurisht që Grenell ka qenë prezantuesi, por këtu jo”, thotë Rama.
Në Uashington, njoftimi i marrëveshjeve ngriti pikëpyetje për një konflikt të mundshëm interesi nëse Trump kthehet në detyrë. Grenell dhe Kushner e kanë hedhur poshtë këtë, duke argumentuar se ata po veprojnë si qytetarë privatë. Kushner ka thënë se në rast të një mandati të dytë të Trump, ai nuk do të ketë një rol në administratë.
Në Europë, marrëveshja e Beogradit shihet si një manovër klasike e mbrojtjes së basteve nga 54-vjeçari Vuçiç, i cili ka dominuar politikën e brendshme dhe rajonale për një dekadë – për tre vjet si kryeministër i Serbisë dhe më pas shtatë si president – dhe i pëlqen të luajë jashtë Amerikës dhe BE-së kundër Rusisë dhe Kinës.
“Ai është një lojtar i mprehtë i shahut,” thotë Milan Antonijeviç, një avokat serb dhe ekspert i të drejtave të njeriut, i cili e portretizon Vuçiçin si duke u përpjekur të ndjekë një kurs të mesëm që i përshtatet më së miri interesave afatgjata të Serbisë në një botë gjithnjë e më shumëpolare.
“Dhe ai e di që ne nuk kemi aq shumë lojtarë në tavolinën globale të shahut”.
Edhe kur ka punuar me aleatët e Trump dhe administratën e Biden, Vuçiç ka ruajtur marrëdhënien me Kinë, rivalin e SHBA-së. Ai ka ruajtur edhe lidhjen sentimentale me Moskën. Nacionalistët serbë e shohin Rusinë si një shpirt binjak sllav.
Serbët kanë një dashuri të llogaritur për Kinën, thotë Srđan Bogosavljeviç, krijues i sondazheve kryesore në Serbi dhe një dashuri “irracionale” për Rusinë. Prandaj, Serbia është një nga vetëm dy vendet europiane – tjetra është Bjellorusia – që nuk mbështet sanksionet kundër Rusisë. Sa i përket Pekinit, Serbia dhe Hungaria ishin dy vendet e vetme europiane që presidenti i Kinës Xi Jinping vizitoi në maj pas vizitës së tij shtetërore në Francë. Kina ka investuar shumë dhe shpesh kryeson sondazhet e opinionit serb si fuqia e huaj më popullore.
E megjithatë në të njëjtën kohë, Vuçiç ka nxitur lidhjet me presidentin e Francës Emmanuel Macron dhe po shtyn të punojë me BE-në për të ndihmuar në zhvillimin e minierës më të madhe të litiumit në Europë në Serbinë perëndimore, një projekt shumë miliardë euro. Vuçiç këmbëngul se qëllimi i tij është anëtarësimi në BE, partneri kryesor tregtar i Serbisë. Ajo ka qenë kandidate për 12 vjet, por ka bërë pak përparim në tejkalimin e shqetësimeve të BE-së për përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe mbi statusin e pazgjidhur të ish-krahinës së Kosovës.
Administrata Biden ka investuar kohë dhe para për ta sjellë Vuçiçin në kampin e perëndimit dhe ka mbështetur një projekt ambicioz të energjisë diellore në Serbi. Megjithatë, nuk ka dyshim se Trump do të ishte një partner më natyal se Biden. “Ai beson se nëse Trump fiton do të jetë mirë për të”, thotë një diplomat euopian. “Grenell ka qenë shumë aktiv në rajon në katër vitet e fundit, në anën e Beogradit.”
Kur u pyet se si një mandat i dytë i Trump mund të ndikojë në Serbi, Vuçiç mbron bastet e tij. “Unë nuk jam një lider aq i madh sa shumë të tjerë në Europë që po mbajnë anën,” thotë ai. “Miku im Viktor Orbán, ai është 100% në anën e Trump. Miqtë e mi nga Brukseli, ata janë 100% në anën e Biden. Unë nuk jam. Unë jam në anën serbe në pritje të rezultateve.”
Por ai vazhdon të kujtojë një vizitë në Shtëpinë e Bardhë të Trump – dhe ta krahasojë atë me takimet e përkohshme me Biden. “Kur vizitova Shtëpinë e Bardhë ishte në një kohë mosmarrëveshjesh të mëdha me Rick Grenell, por ai ishte një person shumë i zellshëm, shumë i përkushtuar. Ne patëm gati tre orë diskutim në një dhomë të ngjashme me nëndetëse. Nuk mund të them se tani kam të njëjtin trajtim. Por mund të them se pata një bisedë të mirë me Trump.
“Kam pasur biseda të mira me Biden para se të bëhej president. Pas kësaj e takova një herë, dy herë në pritje për dy minuta, por jo biseda thelbësore. Nëse pyetni shumicën e serbëve, 90% do të jenë në anën e Trump.”
Pyetja e madhe për rajonin tani është se si mund të ndikojë rizgjedhja e Trump në ndarjet e mprehta dhe të vazhdueshme midis fqinjëve më të afërt të Serbisë.
Rrugës drejt aeroportit të Beogradit, shkronja të mëdha të zeza dallohen në mbikalim: “Kosova është Serbi”. Në anën tjetër të mbikalimit shkruhet: “Mos harro- Kosova është Serbi”.
Statusi i Kosovës, vendlindja e fabuluar e kombit serb, ka qenë një plagë politike në rajon që nga viti 1999, kur fushata bombarduese e NATO-s i hapi rrugën ish-krahinës për të shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.
Edhe sikur Vuçiç të donte të thërriste një referendum për pavarësinë e Kosovës, ai nuk do të mund ta kalonte atë.
Negociatorët e BE-së ndërmjetësuan vitin e kaluar një marrëveshje tentative, të mbështetur nga administrata Biden, sipas së cilës Beogradi do të lejonte joformalisht Kosovën të integrohej në organizatat ndërkombëtare, ndërsa Prishtina do t’u jepte autonomi më të madhe rajoneve me shumicë serbe. Por marrëveshja nuk është zbatuar kurrë.
Intensiteti i negociatave mund të rritet në mënyrë dramatike nëse Trump rizgjidhet. Grenell ka sinjalizuar në diskutime private se nëse ai emërohet në një rol të lartë në një mandat të dytë të mundshëm të Trump, Ballkani do të ishte një prioritet për të dhe se ai e sheh Serbinë dhe rajonin si një aleat natyror të Amerikës.
Kur Grenell ishte i dërguari i Ballkanit, ai loboi fort për një marrëveshje për Kosovën, sipas diplomatëve në rajon. Ai ndërpreu strategjitë e BE-së duke argumentuar për një zgjidhje të shpejtë, duke zemëruar shumë zyrtarë europianë dhe disa diplomatë të departamentit të shtetit me tonin e tij konfrontues.
Ai gjithashtu bëri të qartë se kishte pak kohë për qëndrimin e Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës. Vitin e kaluar, zyrtarët e BE-së dhe administrata e Bidenit gjithashtu janë frustruar me Kurtin, duke e akuzuar atë si të pakompromis dhe duke minuar shpresën për një zgjidhje.
Zyrtarët kosovarë dhe kundërshtarët vendas shqetësohen se një administratë e dytë Trump do të ishte e butë ndaj Vuçiç. Aleatët e Grenell përgjigjen duke treguar se si ai, në të kaluarën, i ka ushtruar presion Vuçiç për t’u larguar nga Moska dhe e kanë shtyrë atë të diversifikojë furnizimin e tij me energji nga Rusia, e cila siguron pjesën më të madhe të gazit të Serbisë.
Për Vuçiç, një shtytje e përshpejtuar për një marrëveshje do të përbënte një dilemë. Pranimi i pavarësisë së Kosovës është një kusht formal për integrimin e Serbisë në BE. Megjithatë, të dorëzohesh ndaj presionit të perëndimit dhe të pajtohesh me të mund të jetë vetëvrasje politike. “Askush nuk ka qenë aq popullor sa Vuçiç në 30 vitet e fundit,” thotë Bogosavljeviç, anketuesi. “Por edhe me këtë popullaritet, edhe sikur të donte të thërriste një referendum për pavarësinë e Kosovës, nuk do të mund ta kalonte atë”.
Duke u kthyer nga Kosova, Vuçiç së fundmi ka nxitur një rritje të ndjenjave nacionaliste mbi Bosnjën. Megjithatë, diplomatët perëndimorë thonë se e besojnë atë kur ai thotë se prioriteti i tij është zhvillimi ekonomik. Projekti i tij kryesor, i cili do të përkojë me përfundimin e planifikuar të presidencës së tij në vitin 2027, është Expo, panairi botëror që ai shpreson se do ta vendosë Serbinë në një rrugë të re ekonomike. “Kur flas për Expo, flas për ndryshime thelbësore të këtij vendi,” thotë ai.
Në këtë kontekst, Vuçiç sheh mundësi për investime nga kushdo që fiton zgjedhjet në SHBA – duke treguar për projektet e pasurive të paluajtshme në linjat e marrëveshjes Kushner/Grenell si dhe projektin e Beogradit “Waterfront”, një zhvillim në bregun e lumit Sava. Kjo u mbështet nga i njëjti zhvillues i Emirateve, Mohamed Alabbar, i cili ishte pas Marinës së Durrësit në Shqipëri.
Për kundërshtarët e tij të dëshpëruar, një bisedë e tillë është e pavlerë. Ata e shohin Vuçiç si një figurë të pabesueshme të Janusit. Vuçiç heq dorë nga kritika dhe thotë se të gjithë duhet të dinë të ndryshojnë. “Duhet të mësosh çdo ditë”, thotë ai. “Vetëm gomerët nuk ndryshojnë mendje.”
Marrë me shkurtime, burimi: Financial Times
“Rusia furnizoi me sisteme të mbrojtjes Korenë e Veriut në këmbim të forcave të saj”