zoom

Kosova

Plan për trazira? Gjenden uniforma serbe në Kosovë, Svelça: Beogradi po përgatit destabilizimin…

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha sot se janë gjetur dhjetëra uniforma të policisë se rregullt dhe asaj speciale serbe, si dhe pjesë të uniformave të Policisë së Kosovës në një fshat në veri të vendit.

Ai tha në një postim në Facebook se autoritetet kosovare i zbuluan uniformat në një shtëpi në fshatin Isev i Poshtëm në Komunën e Leposaviqit, pasi morën një informatë për këtë. Sveçla nuk tregoi se kur u gjetën uniformat e as se si kishin përfunduar ato atje. Por ai shtoi se “kjo është edhe një dëshmi e radhës se mekanizmat e sigurisë së Serbisë ishin dhe mbeten përgjegjësi i tentativës për destabilizim dhe aneksim të veriut të vendit tonë”.

Gjetja e këtyre uniformave vjen rreth dy javë pasi Policia e Kosovës konfiskoi përsëri armatim në veri të vendit. Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej vitit të kaluar, posaçërisht pas një sulmi me armë kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues serbë.

Asokohe pas sulmit, Sveçla kishte thënë se Kosova gjeti prova që dëshmonin se Serbia u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës dhe se sulmuesit ishin përgatitur për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe brenda Serbisë.

Kjo është mohuar nga Serbia. Kosova e akuzoi Serbinë për sulmin e 24 shtatorit, por Beogradi zyrtari i mohoi akuzat. Pak kohë pas sulmit, përgjegjësinë e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Ai e kishte pranuar publikisht organizimin e sulmit, megjithatë vazhdon të jetë i lirë pasi është larguar nga Kosova pas sulmit.

Prej sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë prezantuar disa herë armatim të konfiskuar në pjesën veriore. /REL/