Aplikacion
Me shkallë të lartë tensioni po shoqërohet protesta e sotme e opozitës jashtë Kuvendit, ku paralelisht po mbahet protesta e Rithemelimit.
Protestuesit pasi kanë hedhur molotov, tymse dhe flakadanë, i kanë vënë flakën disa gomave që ishin vendosur para hyrjes së Kuvendit. Me thirrjet për dorëheqjen e qeverisë “Rama” pas skandaleve të fundit që e kanë përfshirë dhe emisionit investigativ “Report” të RAI 3, tubuesit paralajmëruan se do i shkojnë deri në fund.
Ndërkohë, protestuesit kanë lëshuar thirrje kundër qeverisë “Rama”, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Një zjarrfikëse ka mbërritur në vendin e ngjarjes, për të shmangur djegien e gomave.
Shefi Organizativ i PD-së së Rithemelimit Klevis Balliu, në fjalën e tij në protestën e opozitës para parlamentit deklaroi se mazhoranca ka bërë atentat ndaj pluralizmit.
“Grupi Parlamentar i PS është grupi i partisë së krimit dhe të drogës. Është koha t’i dalim zot vendit tonë, shtëpisë sonë. Bashkohuni, të shpëtojmë parlamentin nga narko-qeveria, bashkohuni për Shqipërinë, për demokracinë. Opozita i del zot çdo protestuesi dhe qytetari të lirë. Këta i bënë atentat pluralizmit, duke arrestuar liderin e opozitës. Durim Bamët dhe mafia nuk e kanë vendin në parlament, në Kuvend duhet të jenë përfaqësuesit e qytetarëve dhe jo përfaqësuesit e trafikantëve. Poshtë narko-parlamenti, Rama ik”, tha Balliu ndër të tjera.
Mbi 500 forca policore kanë rrethuar godinën, teksa FNSH dhe RENEA, bashkë me autobotet e ujit, janë në gadishmëri. /ZOOM.AL/