zoom

Aktualitet

Përplasje mes Kosovës dhe Serbisë në OKB, Vjosa Osmani: S’do merrni asnjë cm tokë

Kosova dhe Serbia shkëmbyen akuza të forta në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua raporti për Kosovën i sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres.

Kryeministrja serbe Ana Bërnabic mohoi që Beogradi të ketë pasur gisht në ngjarjet e Banjskës dhe sulmin e 24 shtatorit e cilësoi si pasojë e veprimeve të vetë Prishtinës zyrtare.

“Strukturat serbe të sigurisë nuk kanë të bëjnë aspak me grupin e sulmuesve në fshatin Banjskë. Ngjarjet atje janë janë pasojë logjike e frikës dhe terrorit që ka ushtruar Prishtina pavarësisht thirrjeve për shtensionim”– Ana Bernabiç, kryeministre e Serbisë.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ka thënë se Kosova më 24 shtator ishte viktimë e agresionit nga Serbia.

Osmani ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë ishte akt i pastër agresioni i Serbisë ndaj Kosovës.

“Është vetëm një e vërtetë. Kosova ishte viktimë e aktit të agresionit nga Serbia. Serbia po terrorizon serbët që jetojnë në Kosovë, për ta penguar integrimin e tyre. Serbia do territorin e Kosovës, të cilin s’do ta marrë kurrë. Kosova është palë konstruktive në dialog, e lista e moszbatimit të marrëveshjeve të Serbisë është shumë e gjatë. Duam zbatim të plotë e të shpejtë të gjitha marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel në shkurt, dhe atë në mënyrë fer e të balancuar”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se Kosova kërkon përgjegjësi për sulmin, por Serbia vazhdon ta mohojë.

“Serbia tregoi më 24 shtator se dëshiron luftë, por s’do t’ia ofrojmë këtë. Demokracia e liria gjithmonë ngadhënjejnë. S’ka asgjë që mund t’i qëndrojë para një vendi që e do lirinë. Njerëzit e Kosovës kurrë s’do të heqin dorë nga liria e vetë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë gjithashtu se sulmi terrorist më 24 shtator në Banjskë nuk ishte vetëm sulm ndaj Kosovës, por ishte plan për destabilizim të Ballkanit Perëndimor.