zoom

In Zoom

Përplasja e Top Channel me prokurorin e SPAK-ut, për çfarë e akuzojnë Karanxha dhe Blushi njëri – tjetrin

Po të kërkosh në Google “Top Channel Ervin Karanxha” shfaqen të paktën 10 lajme të ndryshme që mbajnë tituj bombastikë. Janë prodhime të Top Channel.

“Vetting pritet të shkarkojë Ervin Karanxhën, jo vetëm për paratë e pajustifikuara” është titulli i një lajmi që mban datën 14 qershor 2021.

“Top Channel/ Vendimi i Ervin Karanxhës: Të futësh alkool në burg nuk është vepër penale” është një lajm i datës 17 prill 2021.

“Tre Karanxhat e sistemit të drejtësisë”, një tjetër titull po i këtij muaji, që mban datën 14 e të tjera lajme me akuza për prokurorin e SPAK-ut.

Në këtë fushatë është përfshirë edhe emisioni investigativ “Top Story”, siç rezulton nga ky material i marsit 2021, me titullin “Top Story/Burrë-grua-kunatë/ Skema “oktapod” në drejtësi e prokurorit Ervin Karanxha”.

“Emri i prokurorit Ervin Karanxha është përmendur në disa vendime që cënojnë rëndë besimin e publikut te drejtësia”, thuhet në kronikën “Prokurori Ervin Karanxha në Vetting/ Ja vendimet problematike që ka dhënë” të Top Channel.

Top Channel, një televizion kombëtar që po e humbet audiencën dita-ditës, sipas të dhënave të publikuara në disa media, po i shfrytëzon të gjitha hapësirat e tij për të sulmuar prokurorin Karanxha.

Po përse është vënë ky prokuror në shënjestër të kësaj medie të drejtuar nga Ben Blushi? A po e skanon Top Channel anëtarin e SPAK për t’i shërbyer publikut?

Prokurori i ka sqaruar vetë arsyet. Ai reagoi më në fund duke thënë se e gjithë kjo është loja e administratorit Ben Blushi.

“Po më bën presion për të fituar gjyqe në favor të tyre. Top Channel ka shumë çështje në gjykata”, është shprehur prokurori.

Kallëzimi është depozituar dje në Prokurorinë e Posaçme, ku prokurori i Tiranës akuzon Blushin se ka shantazhuar atë dhe familjarët e tij për tre muaj për shkak të një procesi gjyqësor që po gjykonte motra e tij në Gjykatën e Tiranës.

Karanxha i është drejtuar vetë SPAK-ut për ta kallëzuar penalisht Ben Blushin.

Bashkë me të ka kallëzuar edhe anëtaren e vettingut, Valbona Sanxhaktarin, nën pretendimin se Top Channel ka marrë nga KPK dokumenta konfidencialë mbi hetimin që komisioni i vettingut po kryen mbi prokurorin, materiale të cilat ai thotë se nuk i disponon as vetë.

Rastet i përdorimit të mediave për qëllime personale, jashtë interesit të publikut, nuk mungojnë në Shqipëri. Por kjo është hera e parë kur një prokuror kallëzon në Prokurorinë e Posaçme drejtuesin e një medie për presion, për të fituar gjyqet që ka me persona të tretë. /Zoom.al