zoom

Ide & Blog

Përplasja Berisha – Basha, një rrugë proceduriale pa krye

Nga Mentor Beqa;
Partia Demokratike është mbërthyer në një konflikt i cili mund të sjellë rrënimin e saj, ose një vetëdijësim të përgjithshëm të shoqërisë mbi vlerat demokratike, në varësi të mënyrës se si konflikti do të administrohet nga palët e përfshira.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është kryetar legjitim i zgjedhur nga shumica dërrmuese e anëtarësisë votuese të Partisë Demokratike. Legjitimiteti i tij, në pikëpamje formale, është i pakontestueshëm.

Në një sistem demokratik konkurrues, përfshi këtu edhe organizatat politike, legjitimiteti politik fitohet dhe ruhet nëpërmjet bindjes dhe miratimit të vazhdueshëm të legjitimitetit nga trupa prej së cilës buron ky legjitimitet, – në këtë rast anëtarësia e Partisë Demokratike.

Në kushte normale, legjitimiteti provohet brenda një periodiciteti të caktuar që shmang anarkizimin e jetës politike në një organizatë partiake. Gjithsesi, asnjëherë nuk përjashtohet mundësia që kryetari legjitim, për arsye të jashtëzakonshme, të humbasë besimin e trupës që e ka zgjedhur atë.

Z. Sali Berisha dhe mbështetësit e tij pretendojnë që kryetari i zgjedhur e ka humbur mbështetjen e anëtarësisë së PD dhe për pasojë edhe legjitimitetin e tij si kryetar. Për të provuar këtë pretendim, z.Berisha po zhvillon një tur takimesh me anëtarësinë, ku në pamje të parë të krijohet ideja që ai gëzon mbështetjen e shumicës së anëtarësisë.

Megjithatë, kjo është e pamjaftueshme për të cënuar parimin e periodicitetit (imagjinoni situatat që mund të krijoheshin nga grupime njerëzish që kërkojnë votëbesimin e vazhdueshëm të një kryetari partie), parim i cili ruan stabilitetin brenda një partie politike.

Për të shmangur këtë, Sali Berisha po mbledh shumicën dërrmuese të firmave të delegatëve që formojnë organin më të lartë drejtues të Partisë Demokratike, Kuvendin Kombëtar. Mbështetësit e z.Berisha janë shprehur në vijimësi se ky Kuvend do të marrë vendimin e shkarkimit të kryetarit në detyrë, ndërkohë që Berisha ka qenë mjaftueshëm i kujdesshëm, për të shmangur këtë angazhim.

Problemi është se Kuvendi Kombëtar është një organ që legjitimohet nga anëtarësia e Partisë Demokratike, e cila është trupa sovrane e kësaj organizate. Edhe kryetari i partisë, është organ i zgjedhur po nga anëtarësia. Në kushtet kur nuk ka një normë proceduriale të parashikuar për shkarkimin e kryetarit nga organe të prejardhura, i vetmi organ që mund të shkarkojë kryetarin është pikërisht anëtarësia e Partisë Demokratike.

Pyetje në këtë rast është se kush mund ta thërrasë në votim anëtarësinë e partisë jashtë kushteve të periodicitetit?

Sipas qëndrimeve të Bashës, askush veç tij. Sipas qëndrimeve të Berishës, Kuvendi Kombëtar. Këtu hyjmë në atë që quhet deadlock situation, një situatë në të cilën marrëveshja në një konflikt nuk mund të arrihet sepse asnjëra palë nuk do të ndryshojë kërkesat e saj ose nuk do të pranojë ndonjë nga kërkesat e palës tjetër.

Berisha dhe mbështetësit e tij me siguri që do të përpiqen që kësaj situate t’i shmangen nëpërmjet ndryshimit të statutit të Partisë, duke specifikuar mënyrën e shkarkimit të kryetarit të partisë. Një ndërhyrje e tillë do të ishte një precendent i papëlqyeshëm, por gjithsesi shumë herë më mirë se një situatë pa rrugëdalje. Por edhe kjo mund të kontestohet nga organet e tjera të partisë duke rikthyer labirintin procedurial.

Në këto kushte, rrugëdalja më e pranueshme, e cila me gjasa do ta nxirrte Partinë Demokratike edhe më të fortë, është vetëofrimi për votëbesim i Lulzim Bashës. Kjo do të hapte një garë të re brenda partisë demokratike, e cila mund të krijonte mundësinë e afirmimit të një alternative të tretë përtej Bashës dhe Berishës.