Aplikacion
Në raport shkruhet se pavarësisht rritjes eksponenciale të numrit të mediave në dekadën e fundit, veçanërisht mediave online (në vendin tonë janë më shumë se 650 media online të licensuara), cilësia e përmbajtjes mediatike mbetet një sfidë dhe në vitin 2021 cilësia e përmbajtjes mediatike u përkeqësua edhe më shumë.
Respektimi i standardeve etike dhe i rregullave të së drejtës së autorit si dhe profesionalizmi ende nuk janë konsoliduar për një sërë arsyesh.
Sipas autorëve të raportit, edhe pse Kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e shprehjes, të medias dhe të informimit, dispozitat e saj nuk zbatohen plotësisht në praktikë ku në 2021 evidentohen në Shqipëri shenja të përkeqësimit të lirisë së shprehjes, të drejtës së informimit dhe lirisë të shtypit. Sfida kryesore strukturore e ekosistemit mediatik që ndikon negativisht në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Shqipëri është marrëdhënia e ndërthurur simbiotike mes interesave të fuqishme ekonomike dhe politike në sistemin mediatik, përfshirë këtu, në disa raste, ndikimin e krimit të organizuar. “Praktika e përdorimit të mediave për shantazh rrezikon të bëhet diçka normale në Shqipëri dhe, duke pasur parasysh përhapjen e madhe të korrupsionit, pritshmëritë janë të pakta që raste të tilla të denoncohen dhe të hetohen”, shkruhet në raport.
Ndonëse Kushtetuta e Shqipërisë parashikon lirinë e shprehjes dhe qeveria zakonisht i respekton këto të drejta, në vitin 2021 pati raportime se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale kërkonin të diktonin ndikimin e tyre të padrejtë në media.
Përmendet gjithashtu edhe fakti se Shqipëria ka një mjedis mediatik të mbipopulluar për sa i përket numrit të mediave, por një treg të kufizuar reklamash dhe përqendrim të pronësisë së medias tek disa pronarë/familje që i përdorin ato si mjet për ndikim politik dhe përfitime ekonomike.
Në vitin 2021, cilësia e përmbajtjes së raportimeve si dhe pavarësia editoriale u përkeqësuan me rritjen e vetëcensurës nga gazetarët dhe zvogëlimit të hapësirës për gazetari të pavarur, kritike dhe investigative për shkak të frikës, presionit dhe ngacmimit.
“Numri i sulmeve ndaj sigurisë fizike dhe jetës së gazetarëve dhe të afërmve të tyre është i vogël në Shqipëri”, shkruhet në raport por edhe ato pak raste që raportohen nuk hetohen siç duhet ose nuk ka transparencë të mirëfilltë për këto hetime. Institucionet shtetërore në Shqipëri nuk kanë krijuar ende mekanizma efektive të posaçme për gazetarët dhe stafin e mediave për t’u ofruar atyre masa mbrojtëse kur ndjehen të kërcënuar.
Në raport thuhet edhe se ajo që kërcënon sigurinë e gazetarëve janë kushtet e tyre të punës, zbatimi i dobët i Kodit të Punës, sfidat specifike gjinore në sektorin e medias, shqetësimet e sigurisë dixhitale si dhe nxitja e ndjenjës së antipatisë ndaj mediave dhe presionet e përgjithshme kundër tyre. Një shqetësim tjetër madhor është përpjekja për ta bërë gazetarinë të duket si e dalë jashtë mode duke e ndërthurur me ndjenja antipatie kundër mediave, me gjuhë denigruese dhe mbyllje të dyerve ndaj gazetarëve duke mos dhënë konferenca për shtyp dhe duke përqendruar informacionin publik në pak duar. Ndjenjat e antipatisë kundër mediave shprehen nga aktorët politikë të cilët vazhdimisht shtojnë presionet mbi mediat, sidomos ndaj mediave të pavarura, kritike dhe investigative.
A e respektojnë autoritetet konfidencialitetin e burimeve të gazetarëve? A ka shembuj ku gazetarët urdhërohen të zbulojnë burimet e tyre dhe a arsyetohet ky urdhër me mbrojtjen e interesit publik?
Në Shqipëri konfidencialiteti i burimeve të gazetarëve është sfidë më vete. Raportet e vitit 2021 nxjerrin në pah rrezikun e sigurisë së gazetarëve dhe burimeve të tyre nga krimi i organizuar dhe paaftësia e shtetit për t’i mbrojtur ata. Në veçanti, për shkak të lidhjeve shoqërore dhe familjare dhe presioneve të ndryshme në komunitetet e vogla, mediat lokale e kanë të vështirë t’i mbrojnë burimet e tyre të informacionit.
Sa liri kanë gazetarët në përzgjedhjen e lajmeve për të cilat punojnë dhe për të vendosur se cilin aspekt të lajmit duhet të nxjerrin në pah?
Në raport shkruhet se në përgjithësi, gazetarët janë të lirë të zgjedhin lajmet që duan të transmetojnë për aq kohë sa ato nuk bien ndesh me interesat e pronarit të medias apo interesat politike dhe me trafikimin e influencave të tjera. Politika editoriale e organeve mediatike, pozicioni i redaksisë përkundër atij të pronarëve dhe drejtuesve, si dhe për strukturën e pronësisë së medias dhe të ardhurat janë faktorë të tjerë që ndikojnë në lirinë e gazetarëve për të përzgjedhur lajmet ose kronikat e tyre. Në vitin 2021, autocensura ishte ende e pranishme në të gjithë botën.
Në disa raste, redaktimi i përmbajtjes së lajmeve ose heqja e disa prej pjesëve të lajmit është praktikë më se e zakonshme në redaksi.
A bëhen me shpejtësi, paanshmëri dhe efikasitet hetime për krimet ndaj gazetarëve, përfshirë këtu kërcënimet dhe frikësimet ndaj tyre?
Raporte dhe të dhëna të ndryshme nga gazetarët e përfshirë në raport evidentojnë faktin se bëhen një numër i kufizuar hetimesh të paanshme dhe efikase për krimet ndaj gazetarëve. Në bazë të informacioneve të marra nga Prokuroria e Përgjithshme për procesin e hetimeve për vitin 2021, nga 9 sulme faktike ndaj gazetarëve në 2021, janë vetëm tre raste të denoncuara në organet ligjzbatuese.
Banka e Shqipërisë kritika qeverisë mbi PPP-të dhe investimet kapitale:Po analizojmë rënien e euros