zoom

Art & Kulturë

Përkujtohet Mitrush Kuteli dhe vepra madhore në lëmin e letrave shqipe

Në kuadër të 57-vjetorit të vdekjes së shkrimtarit të shquar Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko), Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi një takim përkujtimor për të nderuar figurën dhe punën e tij madhore në lëmin e letrave shqipe.

Në këtë takim morën pjesë të familjarë, miq, njerëz të letrave si dhe lexues të autorit Kuteli. Fjalën e rastit e mbajtën studiuesi Behar Gjoka, prof. Kastriot Gjika si dhe djali i tij, Pandeli Pasko.

QKLL shkroi në faqen e saj online se, Mitrush Kuteli dallohet jo vetëm për gjuhën dhe stilin e tij në shkrimet prozaike, por edhe si një intelektual i cili punoi fort për t’i dhënë historisë së letërsisë shqipe jo vetëm Kutelin por edhe figura të tjera si Lasgushi apo Noli.

Mitrush Kuteli, pseudonim i Dhimitër Paskos, ekonomist, shkrimtar, publicist dhe përkthyes, i spikatur për pikëpamjet e tij demokratike, nuk mund t’i shpëtonte dorës së hekurt të diktaturës.

U diplomua më 1931 dhe në shkurt 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare me vlerësimin më të lartë “Diplomam Magnam cum Laudæ” në Universitetin e Bukureshtit.

I burgosur në vitin 1947 me akuzën armik i popullit, do të lirohej nga burgu pas prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë, 1949.

Kushtet në të cilat do të ndodhej pas lirimit nuk do t‘i jepnin atij mundësinë e botimeve, duke i mohuar kështu shprehjen e talentit të tij në letërsi.

Deri vonë ai do të merrej me përkthime duke gjetur në këtë mënyrë një ngushëllim ndaj zvetënimit të vullnetit të lirë që karakterizonte atë kohë absurde.

Mitrush Kuteli ndërroi  jetë më 4 maj 1967 duke lënë pas vepra të një gjuhe të pasur dhe personazhe të pavdekshëm.