zoom

Politikë

Përjashtimi i Berishës/ Basha: S’ka për të pasur kurrë Kuvend që shqyrton vendimet e SHBA-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dhënë një deklaratë të shkurtër për mediat në hyrje të Selisë Blu. I pyetur nga gazetarët për deklaratat e bëra ditën e djeshme nga ish-kryeministri Sali Berisha, Basha u shpreh i prerë se PD nuk do të mbledhë asnjë kuvend për të marrë në shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane.

“Për 8 vite me radhë Edi Rama më ka akuzuar për kukull të Sali Berishës. Dje, Sali Berisha më ka akuzuar për peng të Edi Ramës. E para është gënjeshtër, e dyta nuk do të ndodhë kurrë. Të dyja janë dy anë të të njëjtës medalje. Partia Demokratike po ecën përpara, Partia Demokratike do t’i prijë betejës popullore për ndryshim që vjen vetëm përmes largimit të këtij regjimi dhe kthimit të vendit në shinat e demokracisë të cilat sigurojnë një jetë të mirë për çdo shqiptar. Ky është misioni i Partisë Demokratike, ky është misioni i çdo demokrati, ky është misioni im dhe këtij do t’i qëndroj me përkushtim deri në arritjen e objektivave që nuk janë thjesht partiake, por janë partiake. Sa u përket pretendimeve për referendume dhe kuvende, kuvend të Partisë Demokratike për të marrë nën shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të patur. Objektivat tona janë përballja me Edi Ramën dhe regjimin e tij dhe e gjithë energjia jonë është e fokusuar këtu. Nuk ka për të patur kuvend të Partisë Demokratike që shqyrton vendimet e qeverisë Amerikane”, deklaroi Basha.