Aplikacion
Por për shumë të tjerë mund të jetë një ditë pune, apo një ditë halli për të shkuar në spital apo diku tjetër, ku duhet të shkosh me patjetër.
Por për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kjo pak rëndësi ka dhe për t’i bërë qokën një të huaji apo për t’u dukur se kujdeset për zhvillimin e sportit dhe jetës së shëndetshme në Tiranë, ta nxin jetën që në pikë të mëngjesit.
E tillë ishte e diela e sotme në kryqytet, ku thuajse të gjitha rrugët kryesore, përfshi “Unazën e Mesme” dhe “Unazë e Madhe” ishin të bllokuara në shumë segmente të tyre.
Me idenë se sot ishte e dielë dhe se për shkak se shumica e qytetarëve janë pushim, u nisa për në punë pa stresin se do të përballesha me trafikun e përditshëm që të ofron kryeqyteti.
Ndaj, pasi kalova disa rrugë të lagjes në zonën e “Komunës së Parisit”, dola në një nga rrugicat në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi”, kur një mesoburrë me një dum-dum më thotë se rruga është e bllokuar.
Me bindjen se e kisha dëgjuar keq, vijova më tej, kur një qytetar tjetër me disa bidona qumështi mbi biçikletë më thotë se “nuk del dot në unazë, pasi e ka bllokuar bashkia”.
Meqë rruga ku isha futur ishte e ngushtë dhe njëkalimshe, u detyrova të eci pas në kundravajtje dhe me bllokazhin ndezur per rreth 100 metra.
Si zgjidhje e çastit më erdhi ndërmend që të kaloja nga Unaza e Madhe, të dilja te TEG-u dhe më pas në Shkozë, aty ku dhe kisha punën.
Edhe pse do harxhoja më shumë karburant, i cili vijon të jetë nga më të shtrenjtët në Europë, vendosa të nisem që të mos humbisja kohë. Kalova në rrugën që ecën paralel me Kompleksin Dinamo, dola te rrethrrotullimi i Kopshtit Zologjik dhe u futa në Unazën e Madhe.
Pas pak minutash mbërrita te rrethrroturllimi i TEG, kur për fatim tim të keq shoh se segmenti që të çonte në Shkozë ishte bllokuar.
Disa policë bashkiakë dhe rrugorë kishin vendosur barriera hekuri dhe me tabelë më bënë shenjë që duhej të kthehesha pas.
U përpoqa më kot t’u bëja të qartë se isha vonë për punë dhe se s’kisha asnjë mundësi tjetër nga të kaloja.
“Mund të kalosh në rrugë alternative, kemi tre ditë që ju kemi lajmëruar”, thotë një polic bashkiak, i cili u ndje i bezdisur nga pyetjet e mija.
Një tjetër polic rrugor më tha mund të kalosh nga Sauku dhe të dalësh te rruga e “Elbasanit”.
Nuk u vonova dhe u nisa, por sapo u afrova te Liceu një tjetër postobllok policie me barriera hekuri ishte vendosu në mes të rrugës.
Polici rrugor më bëri me shenjë se duhet të merrja rrugën në të majtë dhe të kthehesha pas nga RTSH.
U përpoqa t’i shpjegoj se kam një orë që vij vërdallë nëpër Tiranë dhe se isha vonë për punë.
Polici qëlloi njëri i mirë dhe komunikoi me shefat e tij në radio dhe pasi mori konfirmimin, më lejoi të futem.
Por pasi eca rreth 200 metra të tjera, një tjetër postobllok policie, që ishte vendosur në kryeqëzimin e Rrugës së Elbasanit me Unazën më bëri shenjë se duhet të kthehesha pas.
U përpoqa t’i shpjegoj se isha ai personi për të cilin kolegu i tij kishte komunikuar pak sekonda më parë në radio.
U bind dhe më lejoi të kaloj, por më porositi që mos të futem në Unazë e të kaloja drejt dhe të dilja te “Ushtari i Panjohur” dhe më pas të ngjitesha në rrugën “Hoxha Tahsnin”.
Ashtu bëra, por pa shkuar ende te Ushtari i Panjohur, një autobus urban kishte mbetur në rrugë. Duke zbatuar urdhërat e policisë se duhet të kthehej pas, shoferi kishte bërë një manovër të gabuar dhe kishte bllokuar lëvizjen e mjeteve në të dyja anët.
Pasi qëndrova rreth 10 minuta, deri sa shoferi i autobusit ia doli; arrita ta kaloj edhe këtë pengesë dhe të dilja më së fundi në rrugën “Hoxha Tahsin” dhe të mbërrija në punë pas gati 1 orë pasi isha nisur nga shtëpia.
Kjo ishte e djela ime, mes peripecish në një qytet kaotik, ku me këtë bashki që kemi, duhen marrë masat për më të keqen edhe kur lëvizim fundjavave, pasi mund të gjendemk gjithmonë përballë surprizave të pakëndshme, që kaosin e javës e bëjnë të duket një normë e zakonshme. M.B /Zoom.al
Vatikan brenda Tiranës/ “La Repubblica”: Rama kërkon të kombinojë fenë dhe demokracinë