zoom

Lajme

“Përfaqësuese e narkoregjimit dhe fytyra e turpit!”, Nikolla përjashton Nokën: Po më kërcënon…?

Deputeti Flamur Noka nuk ka kursyer gjuhën nga foltorja e Parlamentit, ku pati tensione mes Opozitës dhe Mazhorancës, teksa mbante veshur përsëri bluzën bardhë e blu, me Berishën e stampuar dhe thirrjen “Lironi liderin e opozitës!”.

Ai ka qenë i ashpër në gjuhën përdorur ndaj kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, pas mos pranimit të rikthimit të Sali Berishës në grupin parlamentar të PD, i përjashtuar nga Lulzim Basha prej mëse një viti.

Noka e ka quajtur Nikollën “përfaqësuese dinjitoze e narkoregjimit, je fytyra e turpit të këtij Parlamentit”, ndërsa shtoi se askush nuk e ndal Berishën të jetë pjesë e grupit të PD.

“Na keni kthyer në objekt diskutimi në Europë sepse Shqipëria sot prodhon destabilitet e trafik droge. Para e të nisin diskutimet, merr parasysh kërkesën e grupit të PD. Rregullorja përcakton qartë procedurën e hapat kur një deputet është anëtar i një grupi.Në një narko shtet ku keni mbase rregulla të tjera por për sa kohë ky vend quhet Republika e Shqipërisë, ne kemi një kushtetutë.
Je përfaqësuese dinjitoze e narkoregjimit, je fytyra e turpit të këtij Parlamentit. Berishën askush nuk e ndalon të jetë deputetet i Shqipërisë sa kohë është në listat dhe grupi ka përcjellë një listë ku janë të gjithë deputetët. Nuk ke asnjë autoritet mbi këtë grup”, tha ai.

Pas replikave në sallën e Kuvendit, akuzave dhe kundërakuzave, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka përjashtuar nga seanca deputetin e PD-së, Flamur Noka. Nikolla tha se Noka ka përdorur gjuhë të pahijshme në Kuvend, ndërsa i kërkoi atij që të largohet nga salla e Kuvendit.

Ndërkohë, demokrati nuk ka pranuar që të ikë nga salla. Sakaq, Nikolla mes replikave të ashpra me Nokën i ka thënë këtij të fundit se nuk e kërcënonte dot. “Po më kërcënoni? Turp t’ju vijë. Se jeni dhe malësor”, tha Nikolla. /ZOOM.AL/