zoom

Ide & Blog

Pensionist, çfarë mund të blesh me 5.000 lekë të reja sot?

Le të bëjmë një ushtrim elementar, me laps e letër përpara…po, po! Ju lutem merrni një laps e një letër, mbani shënim deri në fund!
Le të mbushim sot rrjetet sociale me të vërtetën e prindërve, gjyshërve, të afërmve tanë, pensionistëve të këtij vendi ku nuk vdiset dot me dinjitet:
Çfarë mund të blesh me 5,000 lekë të reja sot?
Çfarë mund të blesh me 5,000 lekë të reja sot, si pensionist?
Çfarë mund të blesh me 5,000 lekë të reja sot, si pensionist, që mund të të vlejë për 4 vitet e ardhshme?
Çfarë mund të blesh me 5,000 lekë të reja sot, si pensionist, që mund të të vlejë për 4 vitet e ardhshme sa mos të të bëjnë më dritë sytë para kutisë së votimit?
Ndërkohë, për të lehtësuar zgjidhjen, le të shkruajmë zë më zë:
Sa kushtojnë ilaçet në një muaj? Të tensionit, diabetit, Parkinsonit, Alzheimer-it, dializës, zemrës, migrenës, tiroideve, artritit, analizat e gjakut?
Sa të rimburson shteti në këtë listë?
Sa kushton energjia elektrike dhe uji në muaj?
Sa kushton ushqimi në një muaj? Frutat, perimet, makaronat, orizi, kosi, qumeshti, mishi?
Sa kushton transporti në një muaj? Me autobus? Po të marrësh një taksi vetëm një rrugë në një muaj?
Sa kushton telefoni në një muaj?
Sa të kushtojnë 3 ditë në mal a det sa të mbushesh me oksigjen a jod vetëm një herë në vit?
Po një biletë avioni për të parë fëmijët në emigracion?
Tani kujto punën dhe sakrificat e një jete, lodhjen, përkushtimin, çfarë u le fëmijëve, sa harxhojnë fëmijët me familje e hallet e tyre për ty?
Ki parasysh se modeli ekonomik ku mbahesh në këmbë, me vendim të po të njëjtit, që po të jep një herë të vetme 5,000 lekë si bonus duke e bërtitur si ngjarjen më të rëndësishme në jetën e një pensionisti, pra po i njëjti ka vendosur çmimin e apartamenteve për metër katror nga 1,200-4,000 euro, të naftës 184 lekë/litri, të aboneve 1,600 lekë/muaj. Dhe ka lejuar monopole e kartele në çdo sektor ekonomie, ka detyruar fahatarin të hedhë prodhimin në lumë, të ka bombarduar me produkte importi.
Kujto pak edhe çfarë shërbimesh të ofrohen falas, me ulje çmimi a të rimbursohen si pensionist…shënoi edhe këto me laps e letër!
Mos harro edhe se cilësia e jetesës në Tiranë është përkeqësuar, referuar të dhënave të platformës Numbeo, ku Tirana renditet në vendin e 232 nga 254 qytete në total për cilësinë e jetesës, fuqinë blerëse, ndotjen, kostot e jetesës, çmimet, kujdesin shëndetësor, trafikun dhe raportin e çmimeve të pasurive të paluajtshme ndaj të ardhurave. Në Tiranë…mendo rrethet.
I kreve të gjitha?
Tash a mundesh ta publikosh listën e shpenzimeve të një muaji, atë që sapo shkrove me laps e letër në facebook-un tënd?
Leri postimet për Luizin me shokë sot dhe posto listën tënde të shpenzimeve mujore dhe krahasoje me bonusin e shumë trumbetuar qeveritar prej 5,000 lekësh, një herë të vetme në një vit, para zgjedhjeve të 14 majit!
Bëje për veten, në respekt të një jete pune, sakrificash, përkushtimi, në respekt të dinjitetit tënd, për atë që po lë pas në perëndim të jetës!