zoom

Lajme

PD: Ndërhyrje që të mos hetohet Xibraka, dy standarte për Ahmetaj-Berisha! Dumani: Nuk përcjell SMS

Vijojnë debatet dhe akuzat në Kuvend, teksa opozita i kërkoi llogari krerëve të SPAK dhe Prokurorisë së Përgjithshme gjatë raportimit.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i bëri disa pyetje për kreun e SPAK, Altin Dumani. Bardhi tha se çfarë po bën SPAK për aferën e inceneratorëve. Po ashtu, Bardhi u shpreh se ka informacione se kryeministri i ka dërguar mesazh Dumanit, përmes një funksionari publik, që të mos e hetojë çështjen Xibraka.

Dumani deklaroi se nuk përcjell mesazh me askënd dhe se raportet e tij me kryeministrin Rama dhe Kuvendin janë vetëm institucionale e proceduriale. Teksa kreu i SPAK, Altin Dumani po raporton në Kuvend, deputeti i PD-së, Saimir Korreshi deklaroi se u ndoqën dy standarde për çështjen ndaj Arben Ahmetajt dhe Sali Berishës. Korreshi theksoi se edhe për çështjen e inceneratorëve nuk është marrë asnjë masë. Sakaq, Dumani theksoi se këto janë çështje nën hetim.

Gazment Bardhi: Çfarë ka bërë SPAK për skandalin e inceneratorëve? Incinerator nuk ka, pse nuk ka hetim? BE ka bllokuar fondet për bujqësinë, pasi janë vjedhur. A po hetohet për këtë çështje? Kryeministri ka ndërhyrë për çështjen Xibraka, përmes një funksionari. Cila ka qenë përgjigja juaj për kryeministrin?

Altin Dumani: Çështjet e mbartura janë një problem për SPAK. Hetimi i çështjeve nuk është kaq i thjeshtë sa ç’thuhet. Krimet e zyrtarëve nuk janë të lehta, pasi është një “krim intelektual”. Edhe hetimet për grupet kriminale nuk janë të lehta. Çështja e inceneratorit është në hetim, është kompleks. Edhe çështja për menaxhimin e fondeve të IPART, po hetohet e nuk po jap më tepër detaje. Xibraka është në hetim. Marrëdhëniet e mia me kryeministrin dhe gjithë Kuvendin janë vetëm institucionale e proceduriale. Nuk marr e nuk përcjell asnjë mesazh.

Korreshi: Nga SPAK është mbajtur dy standarde. Për zotin Ahmetaj janë dërguar një dokumentacion në Këshillin e Mandateve dhe më pas është hequr imuniteti. Gjatë seancës me dyer të mbyllura kemi kërkuar të merrej masa, pasi zoti Ahmetaj po çante ferrën. Për Berishën nuk u mbajt ky standard. Për inceneratorët nuk kemi asnjë masë të re për këtë aksionin e fundit të SPAK, apo kanë çarë ferrat ata?!

Dumani: Të dyja janë çështje në hetim paraprak, dhe nuk flas dot. Dhe për çështjen e tyre, është hetim paraprak. Është hetim kompleks dhe përfshin disa struktura. Nuk mund të ndaj asgjë më tepër. Kur të kemi një konkluzion të saktë, do të dalim për një njoftim për mediat. /ZOOM.AL/