zoom

Aktualitet

Pasojat katastrofike që la zjarri i Shkodrës, rrafshoi 80 njësi tregtare dhe 5 banesa. Reagimet

Zjarri “apokaliptik” në tregun e Shkodrës mbrëmjen e djeshme, ka lënë dhe rrafshuar të paktën 80 njësi tregtare dhe 5 banesa, me dëm kolosal miliona euro te pronarët dhe që presin kompansimin nga autoritetet.

Hetimet për shkakun vijojnë dhe nuk ka ende një version zyrtar. Paraprakisht dyshohet si aksidental, por nuk përjashtohet edhe akti i qëllimshëm.

Onid Bejleri, zëvendës kryetari i Bashkisë Shkodër, ka dhënë edhe një deklaratë për mediat në lidhje me zjarrin masiv që ra mbrëmjen e djeshme në tregun e rrobave të përdorura. Bejleri njoftoi se edhe pse flakët janë shuar plotësisht, pasojat e tij kanë qenë katastrofike.

“Fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz, dhe edhe ata zjarrëfikës të cilët kanë pasur probleme mbrëmë, sot janë në gjendje të mirë”, tha ai.

Teksa shtoi se grupet e punës do të nisin menjëherë procesin për vlerësimin e dëmeve në mënyrë që të bëhet sa më shpejt zhdëmtimi i tregtarëve, në mënyrë që të zbutet sado pak dëmi ekonomik që ata kanë pësuar.

“Fatmirësisht zjarri është shuar plotësisht. Edhe pse ka pasur pasoja katastrofike kemi pasur fatin e mirë që nuk kemi pasur asnjë viktimë. Falenderojmë zjarrfikësit dhe ata që erdhën në ndihmën tonë nga qytetet e tjera, bashkë me ushtrinë. Zjarrëfikësit që kanë pasur probleme ditën e djeshme, tashmë janë në gjendje të mirë.

Grupet e punës do të nisë procesin për të vlerësuar dëmet dhe jemi në pritje të raportit të zjarfikësve dhe policisë për shkakun e zjarrit. Dëmet do të bëhet maksimumi për t’u bërë zhdëmtimi i tregtarëve. Të lehtësohet sado pak dëmi ekonomik. Le të shërbejë ky rast për të vendosur një standard të ri, qoftë për tregjet e administruara nga privatët, qoftë nga shteti”, u shpreh ai. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura