zoom

Aktualitet

Pas sherrit me familjen, 47-vjeçari qëllon me çifte. Shmanget tragjedia, arrestohet (Emri)

Një 47-vjeçar përfundoi në prangat e Policisë së Gjirokastrës, pasi akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri çifte në drejtim të banesës ku ishin familjarët e tij.

Ngjarja ndodhi paraditen e sotme, në zonën e quajtur “Ura e lumit”. Policia vendore konfirmoi se autori i dyshuar është Leonidha Sinani, i cili u ndalua.

Mes familjarëve ka pasur konflikte të vazhdueshme, ndërsa u ngrit një grup hetimor dhe po pyeten palët për sqarimin e rrethanave dhe shkaqeve. 

“Parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti në familje, që mund të kishte pasoja të rënda për jetën. Për motive të dobëta, qëlloi me armë gjahu, në drejtim të banesës ku kishte familjarët, ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, mundëson arrestimin në flagrancë të 47-vjeçarit. Sekuestrohet arma e gjahut me të cillën qëlloi ky shtetas.

Menjëherë pas njoftimit se rreth orës 09:15 të mëngjesit të sotëm, për motive të dobëta, një shtetas kishte qëlluar me armë gjahu, në drejtim të banesës ku ishin familjarët e tij, në zonën e quajtur “Ura e lumit”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër organizuan punën dhe mbërritën në vendin e ngjarjes, për të arrestuar shtetasin përgjegjës”, tha policia vendore.

Si rezultat, u bënë të mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të këtij konflikti, si dhe arrestimi i autorit të dyshuar Sinani, 47 vjeç, banues në Gjirokastër. Gjithashtu, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut me të cilën qëlloi i arrestuari. Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. /ZOOM.AL/