zoom

Ekonomi

Pas dështimit, qeveria hap në fshehtësi tenderin për Porto Romanon. Kualifikohen 5 kompani për fazën e dytë

Pas dështimit të parë me tenderin e portit të ri në Porto Romano, qeveria ka hapur një të dytë, në fshehtësi dhe tashmë ka kaluar në fazën e dytë të përzgjedhjes.

Sipas burimeve, ishin 5 kompani garuese për ndërtimin e portit 393 mln eurosh, mes të cilave hollandezet Van Oord dhe Boskalis, belgia Jan de Nul dhe kinezja China Communication and Construction.

Në fazën e parë kompanitë pjesëmarrëse nuk kanë garuar me ofertë financiare por vetëm i janë nënshtruar vlerësim teknik për përmbushjen e kritereve teknike të kërkuara. Tashmë, me kualifikimin në fazën e parë, kompanitë do të garojnë në fazën e dytë me ofertat respektive financiare.

Sipas formulës, qeveria ka vendosur që oferta financiare do të ketë 50 për qind të pikëve, ndërsa 50 për qindëshi tjetër lidhet me faktorë më subjektivë vlerësimi si eksperienca e kompanisë, impakti mjedisor etj.

Porti i ri tregtar në Porto Romano do të ndërtohet me fonde të buxhetit të shtetit, dhe jo me financim të huaj sikurse parashikohej në ligjin fillestar të buxhetit 2024. Vitin e kaluar, qeveria akordoi 99 milionë euro në buxhet për ndërtimin e portit, por fondet nuk u përdorën pasi tenderi nuk u bë gati në kohë dhe më pas dështoi në herën e parë.

Në total, për periudhën 2025-2026 qeveria shqiptare ka përcaktuar rreth 260 milionë euro në buxhet për ndërtimin e portit.

Postime të lidhura