zoom

Aktualitet

Pas arrestimit dhe dorëheqjes, ish-kryebashkiaku Jorgo Goro përfundon në spital

Nuk kanë sjellë asgjë të mirë arrestimi, masa me burg dhe dorëheqja e deklaruar sot publikisht, për kryebashkiakun e Himarës.

Pas qëndrimit të tij në qelinë e paraburgimit prej të shtunës, kur u prangos në Dhërmi për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ish-kryebashkiaku Jorgo Goro ka përfunduar në spital.

Mësohet se Goro nuk është ndjerë mirë mbrëmë nga ana shëndetësore, ndaj dhe autoritetet e burgut e kanë transferuar atë për ndihmë mjekësore në QSUT, ku pritet të trajtohet dhe më tej të kalojë te Spitali i Burgut.

Burime nga spitali thanë se Goro vuan nga probleme të zemrës dhe me tensionin. Sot Goro ka dhënë dorëheqje nga detyra e kryebashkiakut, duke fajësuar Greqinë, teksa mohoi akuzat e ngritura.

Ish-kryebashkiaku akuzohet se tjetërsoi mijëra metra katrorë tokë në favor të Artan Gaçit, si investitor strategjik, bashkëshorti i deputetes Olta Xhaçka. Goro ka thënë se ai vetëm zgjidhi mosmarrëveshjen mes palëve, por SPAK e akuzon se shpërdoroi detyrën, duke ndikuar në përfundimin e tjetërsimit të tokës bregdetare. /ZOOM.AL/