zoom

Lajme

Parlamenti nis me tensione, shkak përjashtimi i Berishës. Bardhi-Bylykbashi akuzojnë Nikollën

Ka nisur me debate dhe tension të lartë seanca në Parlament, teksa jashtë protestuesit presin nisjen e tubimit të paralajmëruar.

Shkak i sherrit parlamentar ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha dhe refuzimi i mazhorancës dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla për të hapur mocion për debat, me qëllim rikthimin e Berishës në grupin parlamentar të PD, pas përjashtimit nga Basha vitin e kaluar.

Gazment Bardhi, në emër të grupit parlamentar të PD kishte kërkuar një mocion me debat. Mocioni nuk është pranuar nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, ndërsa në leximin e shkresës ka lënë mënjanë pikën ku flitet për Sali Berishën.

Në debat u përfshi edhe Oerd Bylykbashi, që akuzoi Nikollën për shkelje Kushtetute.

Pjesë nga diskutimet:

Bardhi: Kur lexon njoftimet e grupit lexoi deri në fund, jo një pikë jo një po.

Nikolla: Në shkresë ka një person që është përjashtuar nga grupi me vendim të PD, e duhet të futet po me vendim të PD.

Bylykbashi: Keni hapur këtë legjislaturë me shkelje. Ata që me akte politike duan të shkelin kushtetutën nuk është problemi juaj, por problem është kur e shkelni ju. Askush nuk i detyron deputetët përveç votës së popullit. Si në kushtetutë, dhe kod zgjedhor, nuk parashikohet sa një procedurë për shkarkim apo largim të një deputeti nga grupi parlamentar.

Veprimi për të lënë jashtë grupit kreun e PD, është veprim i qëllimshëm, për të bllokuar opozitën në kryerjen e detyrës së saj. S’ka asnjë dispozitë që të përjashtojë deputetët. Nuk keni tagër që ju ta bëni këtë. Duhet të merrni dhe të lexoni këtë njoftim. Zoti Sali Berisha duhet të jetë pjesë e grupit, pasi veprimi juaj bëhet palë me antikushtetutën. /ZOOM.AL/