zoom

Aktualitet

Parlamenti Evropian miraton ligjin që mbron lirinë e medias, kufizon dhe përgjimin ndaj gazetarëve

Ligjet e reja novatore të BE-së, për të mbrojtur pavarësinë e redaksive, morën ditën e sotme miratimin përfundimtar nga Parlamenti Evropian.

Akti i Lirisë së Medias – i propozuar për herë të parë nga ekzekutivi i BE-së në shtator 2022 – u miratua me shumicë dërrmuese me 464 vota pro, 92 kundër dhe 65 abstenime.

Akti do t’i detyrojë qeveritë e BE-së që të mbrojnë më mirë mediat kundër ndërhyrjeve malinje dhe të kufizojnë përdorimin e “spyware” kundër gazetarëve. Mediat do të duhet gjithashtu të zbulojnë në mënyrë transparente informacionin në lidhje me pronësinë, financimin dhe reklamat shtetërore, njoftoi “Euronews”.

Një organ i BE-së i posaçëm,  i quajtur Bordi Evropian për Shërbimet Mediatike, do të krijohet për të mbikëqyrur zbatimin e ligjeve. Dezinformimi i përhapur, mungesa e transparencës mbi pronësinë e medias dhe presioni në rritje ndaj gazetarëve e shtynë bllokun të ndërhynte me rregullat e reja gjithëpërfshirëse. Është rregullorja e parë e BE-së për të mbrojtur shtypin e lirë, e konsideruar si një gur themeli i demokracisë evropiane.

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, tha se parlamenti kishte “bërë histori” duke miratuar Aktin dhe nderoi kujtimin e gazetarëve të tillë si Daphne Caruana Galizia nga Malta dhe Ján Kuciak i Sllovakisë, të dy të vrarë pasi i thanë të vërtetën pushtetit.

Věra Jourová, Komisionerja Evropiane për vlerat dhe transparencën, i tha parlamentit të martën se ligji do të dërgonte një “mesazh të qartë për ata që duan të dobësojnë demokracinë”.

“Është një kërcënim për ata që duan të përdorin pushtetin e shtetit, edhe atë financiar, për ta bërë median të varur prej tyre”, shtoi Jourová.

Sabine Verheyen (Gjermani, EPP), ligjvënësja kryesore në dosje, tha pak përpara votimit se Akti do t’i mundësojë mediave të bëhen më të pavarura nga ndikimi i autoriteteve shtetërore, mes frikës së një rënieje të lirisë së shtypit në disa shtete anëtare. Ndërsa disa vende veriore të BE-së, duke përfshirë Irlandën, Finlandën dhe Suedinë, renditen ndër 5 vendet më të mira në botë për pavarësinë e medias, vende të tjera janë prapa. Greqia renditet në vendin e 107-të globalisht.

Verheyen tha se “Bordi i ri Evropian do të jetë në gjendje t’i kërkojë llogari qeverive dhe shërbimeve të medias duke hartuar opinione të pavarura dhe duke ndërmjetësuar në mosmarrëveshje”.

Parlamenti kishte kërkuar që sekretariati i Bordit të emërohej në mënyrë të pavarur për të siguruar pavarësinë nga Komisioni, por kjo nuk ishte e mundur për shkak të “strukturave ligjore”. /ZOOM.AL/