Aplikacion
Gugallja njihej asokohe si pronarja e koncesionit të incineratorit të Elbasanit, njërit prej tre kontratave famëkeqe të qeverisë “Rama” që parashikohej t’u kushtonin qindra milionë euro taksapaguesve shqiptarë. Ndërsa Dedja ishte një ndër emigrantët e shumtë të panjohur shqiptarë, që sapo ishte zhvendosur nga Italia drejt Zvicrës.
Planet e Dedjes në kohën që bleu kompaninë C.G.C nuk janë krejtësisht të njohura, por Prokuroria e Posaçme beson përmes një hetimi të saj se kontrata e blerjes së aksioneve nga Gugallja ishte fiktive.
Ndryshe ndodhi një vit më pas, kur Dedja i ktheu aksionet mbrapsht në këmbim të 600 mijë eurove, të cilat u dërguan përmes katër transfertave bankare në llogarinë e tij në Zvicër.
Kjo nuk ishte marrëveshja e vetme e biznesit mes Dedjes, 55 vjeç dhe administratorëve të aferës së incineratorëve, që mundësoi transferimin e qindra mijëra eurove të taksapaguesve shqiptarë drejt juridiksionit offshore të Zvicrës.
Në vitin 2021, katër transferta të tjera me vlerë rreth 500 mijë euro u transferuan nga kompania Integrated Energy BV SPV e incineratorit të Tiranës drejt kompanisë 3DDD Swiss Trading SA me seli në Lugano, gjithashtu e kontrolluar nga Dedja.
Transfertat bankare drejt parajsave fiskale përmes përdorimit të kontratave fiktive janë një ndër format klasike të pastrimit të parave në botë dhe në Shqipëri.
Megjithatë, hetuesit shqiptarë patën një arsye shtesë për gjumimin e parave që rrodhën nga nga kompanitë e incineratorëve drejt Zvicrës, pasi dyshohet se ato po financojnë jetën në arrati të ish. nr.2 të qeverisë shqiptare, Arben Ahmetaj dhe partneres së tij.
Ahmetaj ishte një ndër figurat kyçe të kabinetit të kryeministrit Edi Rama përgjatë një dekade, derisa Prokuroria e Posaçme kërkoi autorizimin e Kuvendit për arrestimin e tij në korrik të vitit të kaluar nën akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.
Ahmetaj iu shmang drejtësisë dhe pasi u arratis nga vendi, aplikoi për azil në Zvicër në shtator të vitit 2023.
Ndërsa lidhjet e ish.zv.kryeministrit me biznesmenët famëkeqë të incineratorëve ishin të njohura që në fazën paraprake, hetimet e reja të SPAK dhe shkëmbimi i informacionit me autoritetet zvicerane kanë zbuluar lidhje të reja të tij me emigrantin shqiptar, Ilir Dedja.
Sipas SPAK, Dedja është personi që garanton strehimin e partneres së Ahmetajt në qytetin piktoresk të Luganos në Zvicër.
Ahmetaj i mohon akuzat dhe e quan veten “një kokë turku” të kryeministrit Rama për çështjen e incineratorëve. Dedja ishte i paarritshëm për koment nga BIRN.
“Konsulenti i biznesit”
Sipas një dokumenti për “njoftim akuze” të Prokurorisë së Posaçme, SPAK, njohja mes Ahmetajt dhe Ilir Dedjes besohet se shkon pas në fund të viteve ’80, kur të dy ishin studentë në fakultetin “Histori – Filologji” në Tiranë.
Nga këqyrja e regjistrave në Degën e Gjuhëve të Huaja ka rezultuar se Ahmetaj është regjistruar në degën “Anglisht” në vitin 1987 dhe i ka përfunduar studimet në vitin 1991. Dedja me origjinë nga fshati Seferaj i Kavajës është regjistruar një vit më vonë, por rezultoi përsëritës dhe nuk i përfundoi studimet pas vitit 1991.
Në Shqipërinë post-komuniste, Ahmetaj bëri karrierë fillimisht si këshilltar në Ministrinë e Financave dhe më pas si njeri në biznes, derisa ish-kryeministri Fatos Nano e katapultoi në politikë si drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve dhe zv.ministër. Pas rikthimit të socialistëve në pushtet në vitin 2013, Ahmetaj kontrolloi disa prej portofoleve më të rëndësishme të kabinetit “Rama”, derisa hetimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme për lidhjet e tij me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton e rrëzuan atë nga pushteti në korrik të vitit 2022.
Në anën tjetër të Adriatikut, Dedja jetoi për dy dekada si tregtar në Itali, derisa u transferua në Lugano të Zvicrës si “një konsulent biznesi” në mars të vitit 2017 – një destinacion i preferuar botëror për kompanitë guackë.
Menjëherë pas zhvendosjes në Zvicër, Dedja themeloi kompaninë “Drax Consult Sagl”, e cila tre vjet më vonë u përfshi në një skandal në Zimbabve të Afrikës i njohur si “Covidgate”.
“Drax Consult Sagl” dhe “Drax International” nënshkruan kontrata me vlerë dhjetra milionë dollarë për furnizimin e kompanisë shtetërore të Zimbabves, NatPharm me pajisje për luftën kundër COVID-19 – çka solli arrestimin e ministrit të Shëndetësisë, Obadiah Moyo dhe i kushtoi Dedjes një hetim për pastrim parash në Hungari. Moyo u çlirua nga akuzat në tetor të vitit 2021.
Sipas informacionit të ardhur nga Zvicra në SPAK, Dedja “rezulton të jetë person i akuzuar për veprën penale të pastrimit të parave” në kuadrin e një kërkese për ndihmë juridike të kryer nga Prokuroria e Budapestit dhe e ekzekutuar më datë 5 dhjetor 2022 nga policia e kantonit të Ticinos.
Dedja ishte i paarritshëm për koment, por i pyetur nga BIRN në vitin 2020 për biznesin në Zimbabve, u përgjigj se kishte bërë biznes të ligjshëm përmes një studioje ligjore, pa udhëtuar asnjëherë atje dhe pa takuar asnjë politikan të nivelit të lartë.
“Unë kam dorëzuar 2.7 milionë USD pajisje në Zimbabve dhe jam paguar vetëm për 2 milionë USD,” tha ai, duke shtuar se përfaqësuesit e tij ligjorë do ta ndiqnin çështjen deri në fund.
Paralelisht me aventurën në Afrikë, Dedja e vazhdoi biznesin më Mërtirin dhe Zoton përmes një kompanie tjetër të tij, të quajtur 3DDD Swiss Trading SA, sot me emrin e ndryshuar 3DDD Swiss SA.
Në vitin 2019, 3DDD Swiss Trading SA nënshkroi një kontratë me vlerë 5.2 milionë euro me kompaninë e incineratorit të Tiranës, Integrated Energy BV SPV për blerjen e një impianti për trajtimin e ujërave të përdorura. Sipas SPAK, Dedja është administratori i vetëm dhe ka mbajtur pozicionin e zv.drejtorit për shoqërinë “3DDD Swiss SA”.
Dedja vazhdoi të vilte frytet e kësaj kontrate deri në shkurt 2021, duke marrë pagesa të dokumentuara nga Shqipëria me një vlerë totale prej 490 mijë eurosh.
Jeta në arrati
Pregassona është një lagje e qetë buzë një kodre në Lugano, e cila e ka marrë emrin nga lumi Cassone që e përshkon përmes. Prej 1 qershorit 2022, Pregassona është kthyer në shtëpi të dytë për Erjola Hoxhën, partnere e ish.zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Sipas përgjigjes së ardhur në kuadër të ekzekutimit të letër-porosisë nga autoritetet e drejtësisë së Konfederatës së Zvicrës, Hoxha jeton së bashku me vajzën e saj në rrugën Boschina në Pregassona.
Ahmetaj u largua drejt Zvicrës thuajse një vit pas partneres së tij dhe prej shtatorit të vitit 2023 ka statusin e azilkërkuesit. Vendqëndrimi i tij është i paqartë, por sipas një leje të përkohshme qëndrimi në Zvicër, ai mban të njëjtën adresë me Hoxhën.
Apartamenti ku banon Hoxha ndodhet në katin e gjashtë të një pallati të ri dhe është marrë me qira me një vlerë prej 1750 frangash në muaj [rreth 1800 euro].
“Garantues i kësaj kontrate është shtetasi Ilir Dedja, i datëlindjes 02 Shtator 1969,” thuhet në dokumentin e SPAK.
Përveç apartamentit në Pregassona, Hoxha rezulton të ketë marrë me qira edhe një apartament të dytë dhe disa herë më të shtrenjtë në një godinë historike të Luganos në rrugën “Stefano Franscini”, apartament i cili zotërohet nga bashkia. Ky apartament është përdorur si adresë zyrtare, por nuk rezulton të jetë banuar prej tyre.
Prania e Ahmetajt trazoi ujërat e politikës lokale në Lugano këtë pranverë, ndërsa këshilltarët bashkiakë kërkuan shpjegime se si apartamenti në pronësi të bashkisë i ishte dhënë me qira partneres së tij.
BIRN mësoi se Hoxha e kishte marrë apartamentin me qira në treg të hapur, pasi një tender për dhënien e tij me qira me një vlerë mujore prej 4450 frangash në muaj kishte dështuar që të tërhiqte ofertues.
Përveç garancisë së dhënë për marrjen e apartamentit me qira, Ilir Dedjen dhe Erjola Hoxhën i lidh gjithashtu i njëjti vend pune në Lugano.
Sipas autoriteteve zvicerane, Dedja është i punësuar si konsulent tregtar i kompanisë “Phronesis Consulting Sagl” – e njëjta kompani që punësoi edhe Hoxhën në qershor të vitit 2022 me një pagë mujore prej 9208 frangash në muaj [rreth 9500 euro].
“Shtetasja Erjola Hoxha, që nga dita e marrjes së lejes së qëndrimit është punësuar si konsulente pranë shoqërisë Phronesis Consulting Sagl. Sipas përllogaritjeve të tatimit të mbajtur në burim mbi pagat dhe të ardhurat kompensuese, për periudhën 1 qershor deri më 31 dhjetor 2022, rezulton se shtetasja Erjola Hoxha ka marrë gjithsej 64 456, 35 CHF bruto,” thuhet në dokumentin e SPAK.
Ndonëse nuk ka të dhëna mbi pronësinë e kompanisë së konsulencës, “Phronesis Consulting Sagl”, Prokuroria e Posaçme dyshon mbi vërtetësinë e këtyre marrëdhënieve të punësimit.
“…shtetësja Erjola Hoxha shfaqet në një marrëdhënie punësimi me shoqërinë Phronesis, e cila rezulton e lidhur edhe me shtetasin Ilir Dedja, duke krijuar dyshimin e arsyeshëm se këto marrëdhënie punësimi janë fiktive,” përfundon SPAK./ Reporter.al