zoom

Ekonomi

Pandemia “çliron” skemën e sigurimeve, rritet numri i pensioneve të mbyllura

Pensionet e mbyllura për shkak të humbjes së jetës kanë shënuar rritje pas pandemisë. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në vitin 2022 u mbyllën 15.309 pensione pleqërie.

Ky ishte një nivel më i ulët se në vitin 2021, ku u mbyllën mbi 19,300 pensione, por ishte më i lartë se pensionet e mbyllura para pandemisë ku gjatë periudhës 2017-2019 dilnin nga skema e sigurimeve rreth 13 mijë pensionistë çdo vit mesatarisht.

Pas pandemisë numri i personave që dolën nga skema e sigurimeve për shkak të humbjes së jetës u rrit me rreth 25 për qind. Gjatë periudhës 2020-2022 dolën nga skema e sigurimeve 50,222 persona ose 10 mijë (25%) më shumë se mesatarja e 2017-2019).

Pandemia nxiti një mortalitet në të gjithë popullsinë gjatë viteve 2020, 2022 dhe shumica e tyre ishin në moshë pensioni. Mortaliteti i lartë mbi moshat 60 vjeç ndikoi në rritjen e përfituesve në skemën publike të sigurimeve.

Pavarësisht se numri i pensionistëve është në rritje të shpejtë, si rrjedhojë e procesit të plakjes së popullsisë, mortaliteti i lartë i krijuar nga pandemia i ka zbutur presionet për rritjen e pensionistëve që futen rishtas në skemë.

Numri i përfituesve në skemën publike të pensioneve gjatë vitit 2022 arriti në 686,923 persona ose mbi 13 mijë më shumë se në vitin 2021. Në vitin 2021 hynë rishtas në skemë vetëm pak më shumë se 7000 pensionistë, nga rreth 15 mijë në vit që ishin përfituesit e rinj para pandemisë.

Pavarësisht zhvillimeve të momentit që krijoi pandemia, numri i pensionistëve në vitet në vijim pritet të rritet si për ata që futen në skemë dhe ato që dalin nga skema për shkak se popullsia e vendit është futur në ciklin e plakjes së shpejtë.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Sigurimeve Shoqërorë po tregojnë se numri i pensionistëve po shënon rritje më të shpejtë se numri i kontribuuesve. Në vitin 2022 për çdo përfitues kishte vetëm 1.1 kontribuues nga 1.2 që ishte ky raport në vitin 2018.

Në vitet e mëtejshme raporti kontribuues /përfitues do të përkeqësohet edhe me tej për shkak të zhvillimeve të pafavorshme demografike.

Projeksionet tregojnë se deri në vitin 2030 popullsia në moshe pune do të tkurret në mënyrë sistematike dhe nga ana tjetër numri i pensionistëve do të rritet me shpejtësi duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve.

Në vitin 2010, statistikat zyrtare të ISSH-së raportonin 543,053 pensionistë, ndërsa në fund të vitit 2022, u raportuan 686,923 të tillë.

Megjithëse këto zhvillime në vitin 2022 skema e sigurimeve shoqërore shfaqi qëndrueshmëri prej arkëtimeve më të larta nga kontributet. ISSH raporti të ardhura 133,3 miliardë lekë nga kontribute me një rritje vjetore 18%.

Si rrjedhojë subvencionet nga buxheti i shtetit për skemën e sigurimeve ishin 22,9 miliardë lekë me rënie 18 për qind nga viti 2021, ku buxheti e mbështeti nga të ardhurat e tjera skemën publike të pensioneve me rreth 28 miliardë lekë/ Monitor