zoom

Bota

Pamje/ Shpërthim i fuqishëm në Paris. Ndërtesat në flakë dhe 16 të lënduar

Të paktën 16 persona janë plagosur, shtatë prej të cilëve mbeten në gjendje kritike, pasi një shpërthim gazi shkaktoi zjarr në disa ndërtesa në lagjen Latine të Parisit.

Sipas informacioneve të para, shpërthimi është shkaktuar nga një rrjedhje gazi në ndërtesën trekatëshe ku ndodhet Akademia Amerikane e Parisit e muzikës, në rrugën Saint-Jacques në lagjen e 5-të të kryeqytetit francez, ndërsa Le Parisien raporton se shtatë persona janë lënduar rëndë dhe nëntë me lëndime të lehta. Ndërtesa e Akademisë është shembur pjesërisht.

Policia u tha njerëzve që të shmangnin zonën e Val-de-Grâce, pranë Panteonit dhe Kopshteve të Luksemburgut, pasi fasada e një ndërtese u shemb dhe zjarri dukej se ishte përhapur në ndërtesat fqinje.

Banorët vendas tregojnë se ka pasur një shpërthim të fuqishëm dhe një më të vogël. Një burrë  tha për radion  France Info: “Ishte tronditëse. Është një fatkeqësi.”

Alexandra, një farmaciste vendase, tha: “Ne dëgjuam një shpërthim të pabesueshëm, shumë të fortë rreth orës 17:00, ndiem forcën e tij. Ne menduam se kjo nuk është një stuhi, kjo është serioze. Dëgjuam shërbimet e zjarrfikësve. Dola për të parë nëse mund të ndihmoja. Por gjithçka është e mbyllur. Ka një numër të madh shërbimesh zjarrfikëse dhe shërbimesh emergjente. Është mizore.”

Disa raportuan një shtëllungë të madhe tymi që ngrihej mbi lagje.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, zjarrfikësve dhe ambulanca. Prokurori i Parisit tha se në këtë fazë nuk ishte e mundur të përcaktohet shkaku i zjarrit.

Zona zakonisht është e mbushur me turistë dhe studentë të huaj në fillim të verës.

“Isha në shtëpi duke shkruar… mendova se ishte një bombë”, tha historiania e artit Monique Mosser për Reuters, duke shtuar se shumë nga dritaret në ndërtesën e saj ishin hedhur në erë nga vala goditëse e shpërthimit.

“Një fqinj trokiti në derë dhe më tha se zjarrfikësit po na kërkonin që të evakuoheshim sa më shpejt. Mora laptopin, telefonin. As që mendova të marr ilaçet e mia.”/TheGuardian