zoom

Ide & Blog

Pabarazia relacionale, toka e minuar e zhvillimit ekonomik

50 vjet më parë më 11 shtator 1973,  Gjeneral Augusto Pinochet udhëhoqi një grusht shteti dhe rrëzoi presidentin socialist Salvador Allende. Bashkë me të u hap një sipar i ri në politikëbërjen ekonomike të Kilit,  pasi Pinochet-i u dha pushtet “Djemve të  Chicagos” , duke ju krijuar atyre një mundësi unike për të zbatuar teoritë që kishin mësuar nga Milton Friedman dhe kolegët e tij në Universitetin e Chicagos .

Pas më shumë se një shekulli të zhytur në një performancë mediokre ekonomike, mjaftuan vetëm 17 vjet dhe  në fillimet e viteve 2000 , Kili ishte shëndruar në kombin më të pasur në Amerikën Latine . Ai gjithashtu kishte arritur  nivelet më të larta të treguesve social në rajon për shëndetësinë , arsimin dhe jetëgjatësinë. Niveli i varfërisë ra nga 53 për qind që ishte në mesin e viteve 1980 në vetëm 6 për qind në vitit 2017. Për nga statistikat ekonomike, Kili i  vitit 2020 i ngjasonte më shumë një vendi të Europës Jugore, si Portugalia apo Spanja, sesa një kombi të Amerikës Latine.

Por më 18 tetor 2019,  për habinë e shumicës së vëzhguesve, nga një rritje e vogël e tarifave të metrosë – tridhjetë pesos, ose katër cent, protesta masive shpërthyen në të gjithë vendin. Por më shumë se sa për rritjen e tarifës,  qindra mijëra njerëz marshuan qyteteve dhe demonstruan në fakt kundër elitave, abuzimit të korporatave, lakmisë, shkollave private, pensioneve të  ulëta, pra shkurt kundër politikave të modelit neoliberal. Demonstruesit kërkonin faljen e borxheve të studentëve dhe shërbim shëndetësor universal falas.

Një paradoks i madh ky që kërkonte shpjegim, sepse  ndërsa çdo tregues tradicional ekonomik tregonte se Kili ishte një sukses dhe po lëvizte në mënyrë të qëndrueshme drejt radhëve të kombeve të përparuara,një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë ishte thellësisht e pakënaqur dhe kërkonte ndryshime të mëdha.  Elitat nuk i kuptonin arsyet e revoltës, madje  edhe ata që kishin qenë kritikë ndaj modelit u befasuan nga masiviteti i saj .

Shumë pak njerëz e njohin modelin  ekonomik kilian aq mirë sa Arnold Harberger, njeriu që u quajt  me të drejtë babai i “Djemve të Çikagos “, i cili ishte koleg Freidman-it por shquhej  si një mendimtar më fleksibël dhe më pragmatist se ky i fundit.  Në një histori të treguar prej tij në vitin 2016 ai shprehet :

“Në vitin  1955 në Klubin e Fermerëve (Union Klub) në një drekë me 10 persona pyeta në menyrë krejt të  pafajshme se sa antarë të këtij klubi ishin fëmijë fërmerësh. Ata gati ranë nga karriket e tyre , sepse ishte e pakonceptueshme që ndonjë nga ata të ishte i tillë. Megjithëse më vjen keq ta them, por në vitin 2000 isha sërish në “Union Club” dhe bëra të njëjtën pyetje, por kësaj rradhe jo aq pafajsisht. Fatkeqësisht reagimi ishte edhe më arrogant , nuk kishte sesi një djalë pa status të ishte pjesë e klubit.”

Megjithëse Harberger ishte i vetdijshëm se modeli  neo liberal nuk ka në qendër pabarazinë, por thjesht uljen varfërisë, Harberger pranon “se modeli i suksesit  në Kili në aspektin shoqëror mbështetej në “një fuçi baruti”  .

Përtej pabarazisë vertikale ose shpërndarjes sasiore të të ardhurave, një tjetër pabarazi zhvillohet dukshëm në modelet neoliberale, aq më tepër kur ato implementohen në vende me demokraci të cunguar. Disa ekonomistë e quajnë atë “pabarazi horizontale”, ose sic e quan Elizabeth Anderson  “pabarazi relacionale”. Pabarazia relacionale  nuk ka të bëjë vetëm me të ardhurat monetare edhe të mirat materiale , por  me ndërveprimin social, ndarjen, racizmin, mundësinë e sigurimit të komoditeteve dhe të mirave publike, duke mos përjashtuar edhe mënyrën se si njerëzit e thjeshtë trajtohen nga elitat.

Sot  mjafton një bisedë 10 minutëshe me një grup adoleshentesh nga shkollat e shtrenjta të Tiranës për të kuptuar thellësinë e pabarazisë relacionale. Apo mjafton një vizitë disa sekonda në rjete sociale për  të dalluar rëndësinë e statusit social,  i cili në mos qoftë sajohet .

Sot ne jemi  më pak empatikë dhe më shumë më narcizistë. Dukshem vihet re një  zhvendosje nga modaliteti ”Ne”  në modalitetin “ Unë “. Edhe sa më shumë shkallëzohet ekonomikisht shoqëria ku  thyerjet bëhen më të thella distanca midis kushteve dhe prejardhjeve të ndryshme do të bëhet më e madhe, duke e bërë të vështirë gati te pamundur rruajtjen e respektit të ndërsjelltë .

Sot duhet të flasim më shumë për kohezionin social, edhe pabarazinë relacionale. Individualizmi duhet të balancohet me njohjen e një përgjegjësie kolektive për t’u kujdesur për ata që dështojnë në kohë të vështira dhe për t’u siguruar të gjithëve përbërësit e nevojshëm për të ndërtuar një jetë të mirë. Sot, përtej treguesve tradicionalë ekonomikë, zhvillimi duhet matur edhe me faktin sa fëmijë fermerësh  janë “pjesë e klubit”, në të kundërt çdo sukses ekonomik sado i madh të jetë do të ngrihet mbi një “tokë të minuar “.