Aplikacion
Prej minutave të para pas mesnatës, mes 21 dhe 22 korrikut 2016, ajo që ka ngelur e pashlyer në mendje është një puthje. Fotografët dhe kameramanët që i rezistuan orëve të gjata pa gjumë arritën më në fund të kenë edhe ata “gralin” e tyre.
Personazhet që ata fiksuan, të rënë në krahët e njëri-tjetrit, më shumë të lumtur se sa të lodhur nga orë të gjata negociatash, qenë dy ambasadorë.
Njëri, Donald Lu, përfaqësues i Shteteve të Bashkuara, ndërsa tjetra, Romana Vllahutin, e zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë. Të dy i gëzoheshin një votimi konsensual, të padëgjuar më parë, në sallën e parlamentit shqiptar.
Të 140 të zgjedhurit e popullit, disa pas presioneve të marra drejtpërdrejt në selitë diplomatike perendimore në Tiranë, votuan ndryshimet kushtetuese për një reformë radikale të sistemit të drejtësisë. Të dy triumfatorët e këtij kalvari të gjatë patën propoganduar prej kohësh se kjo ishte mënyra e vetme që vendi ti jepte fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë, të zhytur shpesh në korrupsion dhe për t’i hapur rrugën një afrimi më të shpejtë me BE.
Sot, tetë vite më pas edhe ambasadori Lu edhe homologja e tij Vlahutin janë larguar nga ky vend, pa asnjë përgjegjësi të vetme për atë që kanë lënë pas. Rreth gjysma e 800 Prokurorëve dhe Gjyqtarëve janë përjashtuar nga sistemi si të papërshtatshëm për drejtësinë e re. Më në në fund, janë ngritur në këmbë një prokurori dhe gjykatë speciale të destinuara për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin e shtetarëve të lartë. Por, megjithëatë, rezultatet janë zhgënyese.
Pavarësisht se mbështetësit dhe përkrahësit vijojnë të propogandojnë arritjet sasiore të spastrimit të sistemit, cilësia e produktit të nxjerrë, ka vrarë çdo lloj optimizmi. Qytetarët e thjeshtë do të duhet të presin edhe ndoshta 10 vite, për të zgjidhur konfliktet e tyre për pronat dhe pensionet, të tubuara në mbi 140 mijë dosje që janë arkivuar në gjykatat e shkallës së parë. Që nga viti 2016 Shqipëria ka humbur plot 16 vende në klasifikimin për perceptimin ndaj korrupsionit që kryen Transparence Internacioanal. Ndërkohë, dy skandalet më të mëdha korruptive në vend, ai 420 milionë euro, për tre incernratorë për djegjen e plehrave, asnjëri prej të cilëve nuk punon, (madje ai i Tiranës që ka përpirë plot 110 milionë euro nuk ekziston) dhe një skemë e vjedhjes së fondeve publike nga bashkia e kryeqytetit, kanë të njëjtën moshë, dmth janë projektuar në të njëjtën kohë me startimin e Rerormës në drejtësi. Pra në vend që t’i trembte reforma amerikano-europiane i trimëroi hajdutët lokalë.
Pyetja është si ndodhi kjo? Pse ekperimenti perendimor dështoi në Shqipëri, ndonëse BE ka disbursuar 50 milionë euro të taksapagesve evropianë, ose ⅓-ën e shumës së përgjithshme për ta mbështetur këtë projekt?
Përgjigja është e thjeshtë: sepse zyrtarët euro-atlantikë vunë bastin e pamundur për të ndërtuar një drejtësi të pavarur nën regjimin e Edi Ramës që bëhej gjithnjë e më autokratik. Ata tentuan sfidën e formimit të prokurorëve dhe gjykatësve të drejtë, në një sistem ku manipulohej vota e qytetarëve, ku informacioni dominohej nga mediat e 5 familjeve të kapura – sipas Reporterëve pa Kufi, nga reklama dhe punët publike me të cilat i shpërblente qeveria, ku opozitës politike i mohoheshin gjithnjë e shumë të drejtat elementare, duke nisur nga refuzimi për ngritjen e komisioneve hetimore në parlament e deri tek zhveshja nga detyra elementare për të bërë interpelanca apo mocione me shefin e qeverisë.
Drejtësia e re, që u konceptua si një mundësi për ti vënë digë korrupsionit, u shndërrua në një armë që kryeministri Rama po e përdor për pushtet të pakontrolluar.
Kjo përbën një kthim pas. Në tre dekada, që pas rënies së komunizmit në fund të vitit ‘90, historia e saj ka kaluar nëpër tre faza. Ajo e ish presidentit Berisha, që është ende sot shefi i opozitës, i cili në vitet ‘92-97, me pretekstin e spastrimit të institucioneve të diktarurës, ndërtoi një drejtësi të re të politizuar, duke e përdorur atë për të goditur rivalët e tij të drejtpërdrejtë politikë.
Faza e dytë qe ajo e një drejtësie që i kishte duart të lidhura për të vepruar ndaj abuzimeve të politikanëve të lartë, e cila, ndonëse nuk varej prej askujt dhe qëndronte barazlarguar nga palët, qe e pafuqishme për tu përballur me secilën prej tyre.
Sot jemi kthyer në fazën e post diktaturës kur ajo po përdoret si gjueti shtrigash ndaj opozitës. Ndonëse prokuroria dhe gjykata e posaçme kanë çuar në burg ndonjë ish zyrtar të qeverisë – të gjithë ndërkohë të larguar paraprakisht nga detyra-, falë tyre Shqipëria është bërë vendi i vetëm në Evropë me të gjithë liderët kryesor të opozitës të izoluar. Kreu i partisë më të madhe opozitare, ish presidenti dhe kryeministri Sali Berisha gjendet në arrest shtëpie. Kreu i partisë të dytë nga rëndësia, ish kryeministri dhe ish presidenti Ilir Meta është në burg.
Fredi Belerit, liderit të komunitetit të minoritetit më të rëndësishëm, atij grek, i rëmbyen fitoren në zgjedhjet lokale, në një nga vetëm 7 bashkitë që nuk fitoi partia në pushtet, me anë të dënimit për vjedhje votash. Ervin Salianjit, zv/shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, u burgos me pretendimin për një vepër që se parashikon kodi penal, atë të kallëzimit të rremë, vetëm se denoncoi vëllain trafikant të ish ministrit të brendëshëm të Ramës, që refuzonte të kryente një dënim për trafik narkotikësh, të dhënë nga drejtësia italiane.
Të gjithë këtyre personazheve kryeministri Rama u’a ka parathënë atë që do u ndodhte përmes deklaratash publike, duke bërë që ai t’i drejtohet zgjedhjeve të pranverës së ardhshme, duke kërkuar, me fushën të spastruar nga të gjithë rivalët politikë.
Po si ndodhi kjo para syve të kancelarive perendimore dhe madje me bekimin e tyre?
Fakti që Edi Rama e mban pushtetin duke shfrytëzuar elementë dhe para të krimit të organizuar për të sunduar brenda vendit dhe i jep legjitimitet autokracisë të tij, falë një mbështetjeje ndërkombëtare, kërkon një shpjegim.
Ai duhet kërkuar fillimisht në një shfrytëzim më të mirë sesa të gjithë paraardhësit e tij, të argumentit se Shqipëria është një vend pa probleme etnike. Ai ka ditur të përfitojë nga sllogani i prodhuesit të stabilitetit në rajon. Për të promovuar këtë markë ai është futur në konflikt pothuajse me të gjithë liderët e Prishtinës, njëri pas tjetrit, sa herë që këta të fundit kanë pasur fërkime me ndërkombëtarët në kuadër të dialogut Serbi-Kosovë. Por, tregëtimi i interesave kombëtare në favor të përfitimeve personale nuk është shfaqur vetëm në politikën ndaj Kosovës. Talenti për të qenë i vlefshëm për të mëdhenjtë e ka shenjuar diplomacinë e tij. Rama u bë i pari që hapi portat e vendit, për refugjatët afganë, menjëherë pas tërheqjes traumatike të Amerikanëve nga Kabuli, kur shumëkush hezitonte ta bënte këtë. Ndonëse kishte deklaruar publikisht se Shqipëria nuk do të bëhej kurrë burgu në qiell të hapur për emigrantët e vendeve të pasura, ai e lëpiu atë që kishte pështyrë dhe mbylli marrëveshjen “tete a tete” me post fashisten Giorgia Meloni, për hapjen e qendrave të refugjatëve në Shëngjin dhe Gjadër. Duke pritur ardhjen e Trampit në pushtet, të cilën në 2016 e pati quajtur në CNN ‘turpi i njerëzimit” dhe “fatkeqësi për planetin”, ai ka bërë plane për ti dhënë dhëndrit dhe vajzës së ish presidentit të SHBA-së ishullin e vetëm të vendit për qëllime turistike. Po ti shtosh këtyre edhe paratë okulte që përdorën njerëz të dalë drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit për të korruptuar agjentin me të lartë të FBI-së që është rekrutuar ndonjëherë, Charls McGonigalin, të dënua tashmë në SHBA, bëhet e plotë pasqyra e mbështetjes ndërkombëtare për autokratin shqiptar.
Prej 11 vitesh në pushtet si kryeministër ai ka ditur të ngrejë një rrjetë të tërë merimange për të mbajtur pushtetin me të gjitha mënyrat nga brenda dhe për ta noterizuar atë me vulë mbështetjeje nga jashtë.
Pikërisht për këtë po përdoret edhe produkti kryesor i investimit më të madh që ndërkombëtarët kanë bërë gjatë kësaj dekade, reforma në drejtësi dhe dy margaritarët e saj të kurrorës, Prokuroria dhe Gjykata e posatçme. Në një regjim ku kanë rënë njëri pas tjetrit të gjitha pushtetet e pavarura, ato nuk mund të kishin fat të ndryshëm. Ato tashmë po shërbejnë për t’i kryer Edi Ramës, një sërë punësh të pista që më parë duhet ti mbaronte vetë. Më kryesorja: eleminimin e rivalëve të drejtpërdrejtë nga gara elektorale e pranverës së ardhshme. Në mënyrë paradoksale reforma në drejtësi, që u shpik për të frenuar korrupsionin, do prodhojë fitoren e një pushteti edhe më të korruptuar, siç ndodh rëndom kur abuzuesit nuk i tremben ndëshkimit të mundshëm me votë.
Edhe ata që dikur besuan tek puthja e para tetë viteve, Lu – Vlahutin, tani e kanë kuptuar se ajo i ngjan asaj të Judës. Qëllimi mund të qe i mirë, por ajo shërbeu për të treguar se çfarë duhej vrarë: Shpresa. Ajo u vu në shërbim të një autokracie për të shtuar legjitimitetin ndërkombëtar të saj.