Aplikacion
SPAK bëri me dije se të akuzuarit janë zyrtarë të AKSHI-t, jurist, specialist dhe një kryeplak në Sauk. Gjithashtu ata akuzohen se kanosnin dhe ndikonin për mbledhje votash.
Aksioni udhëhiqet nga prokurori Ened Nakuçi dhe është ende në zhvillim e sipër, ndërsa SPAK ka dalë sot edhe me një njoftim zyrtar, për të dhënë detaje për emrat e të arrestuarve dhe akuzat që rëndojnë ndaj tyre si më poshtë.
Njoftimi i SPAK për dosjen:
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar në datë 24.03.2020, procedimin penal nr. 100, të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 259, 244 dhe 245, paragrafi parë të Kodit Penal.
Pas kryerjes së veprimeve hetimore me vendimin nr. 42, datë 25.04.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, ndër të tjera gjykata ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim D. S., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 2 dhe 25, 328 dhe 25, të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim A. O., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 2 dhe 25, 328, dhe 25, të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim A. H., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale veprave penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 2 dhe 25, të Kodit Penal.
Caktimin e masës së sigurimit personal atë të “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” të parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Y. B., si i dyshuar për kryerjen e veprave penale veprave penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 2 dhe 25, të Kodi Penal.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, ka ekzekutuar në datën 26.04.2024, masat e sigurimit të caktuara nga Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.42, datë 25.04.2024.
Për personat nën hetim D. S., zyrtar i Drejtorisë së Përgjithshme të ASHK-së dhe A. O., kryeplak i Lagjes së Re, Sauk, Tiranë, ka dyshime të bazuara në prova, se kanë kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal (përpara ndryshimit me ligjin nr. 43/2021, datë 23.3.2021), dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal, pasi këta dy shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime aktive gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2019, duke kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të personave që do të merrnin pjesë në zgjedhje, duke i detyruar për të votuar ose përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta, për qëndrim në punë ose dhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë.
Gjithashtu me veprimet e tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, nëpërmjet kërkimit, marrjes dhe pranimit drejtpërdrejt të përfitimeve të parregullta, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të shtetasve që kanë rezultuar nga përgjimet e bisedave telefonike, administruar në fashikullin e procedimit penal.
Për personat nën hetim A. H., me detyrë në kohën e kryerjes së veprimeve, jurist i Aluiznit, Tirana Jug dhe më pas ASHK, Tirana Jug dhe shtetasi Y. B., në rolin e sekserit, kanë konsumuar elementët e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal (përpara ndryshimit me ligjin nr. 43/2021, datë 23.3.2021), pasi me veprimet e tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, nëpërmjet kërkimit, marrjes dhe pranimit drejtpërdrejt të përfitimeve të parregullta, shpërblim në të holla, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të shtetasve G.K., N.S., E. M. dhe K.D.
Vijon kryerja e veprimeve hetimore, në kuadër të procedimit penal nr.100, të vitit 2020, për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të personave nën hetim, të sipërcituar dhe personave të tjerë, që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm”. /ZOOM.AL/