zoom

Aktualitet

Operacioni i SPAK-ut, shpallet në kërkim ish-deputeti socialist Arben Ndoka

Objektiv i megaoperacionit të SPAK që po zhvillohet prej mëngjesit të sotëm në aksin Tiranë-Durrës-Lezhë, është edhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka.

Prokuroria e ka shpallur në kërkim ish-ligjvënësin, teksa nuk ka mundur ta gjejë dot nga kontrolli i banesës së FNSH-së dhe RENEA-s. Dyshohet se ai është i përfshirë në aktivitete kriminale, teksa më parë i është hetuar, arrestuar dhe dënuar i vëllai dhe motra, për drogë dhe pasurinë. Kurse vetë Ndokës iu sekuestruan edhe mbi 30 hektarë tokë te “Rana e Hedhun”, me vlerë 50 mln euro, që ishte tjetërsuar paligjshmërisht.

SPAK pritet të japë sqarime për veprën penale për të cilën akuzohet këtë herë. SPAK ka lëshuar 50 fletë-arreste.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar në vitin 2019 pasurinë e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, i cili u arrestua në në tetor të vitit 2018 në kuadër të operacionit “Volvo 4”, si i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash.

Nga përgjimet telefonike të Prokurorisë, Arben Ndoka rezultonte i përfshirë në një skemë tjetërsimi pronash në zonën e Kunes dhe Rana e Hedhun në Shëngjin. Gjithçka u zbulua nga hetimet e prokurorisë për vëllain e Arben Ndokës, Gjevi Ndoka, si i lidhur me grupin e Avdylajve të Shijakut, të cilët akuzohen për trafik droge dhe porositës të heroinës së laboratorit të Hasit.

Pronat ishin përfituar në mënyrë të paligjshme me anë të falsifikimit. /ZOOM.AL/