Aplikacion
Gjithsej 273 persona u vunë në pranga, në fazën e dytë të operacionit të koduar policor “Tempulli 2”, i shtrirë në disa qytete të vendit e me fokus goditjen e shpërndarjes së drogës pranë shkollave.
Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha për mediat se në total janë goditur anëtarët e 7 grupeve kriminale që merreshin me shpërndarjen dhe tregtimin e lëndëve narkotike.
“Policia e Shtetit mbi bazë të një organizimi absolutisht profesional ka arritur që të finalizojë arrestimin, ndalimin dhe arrestimin në flagrancë, pra të tre nocionet, të 273 shtetasve. Janë sekuestruar një sërë provash materiale, që dokumentojnë aktivitetin e tyre kriminal në drejtim të shpërndarjes dhe tregtimit të lëndëve narkotike… Mund t’ju themi që për këtë rast kemi të goditur anëtarët e 7 grupeve kriminale“.
Rrumbullaku tha se faza e dytë e operacionit nuk lidhet vetëm me shkollat, por me të gjitha zonat komunitare në të gjitha qytetet e Shqipërisë.
“Mund t’ju them se faza e dytë e operacionit, nuk lidhet vetëm me shkollat, por me të gjitha zonat komunitare të gjitha qyteteve të Shqipërisë, Tiranën, Durrësin, Shkodrën, Vlorën, Elbasanin, Korçën. Fokusi i Policisë së Shtetit, në drejtim të sigurimit të të rinjve, ka qenë goditja e këtij fenomeni në zonat e banimit të të gjithë adoleshentëve dhe problematikave të ndryshme që kanë adresuar qytetarët shqiptarë”.
Ndërsa Ministri i Brendshëm Taulant Balla, theksoi se në këtë fazë të dytë të operacionit është kapur një sasi e madhe lëndësh narkotike, si dhe janë sekuestruar shumë armë pa leje.
“Kemi arritur të realizojmë një fazë të dytë të operacionit kombëtar. Ka disa suksese në fakt, ku do nënvizoja se ka qenë një operacion i madh, por suksesi i parë lidhet me faktin që nuk kemi pasur asnjë rrjedhje informacione dhe numri i madh i urdhrave të ndalimit janë realizuar dhe ndërkohë që ne flasim, forcat e policisë janë në terren për të vijuar me punën. Jo pa qëllim jemi pranë një shkolle të mesme, se na duhet domosdoshmërisht ta rrisim prezencën tonë në territor për të garantuar sigurinë në shkolla. Dua të vlerësoj se edhe sasia e lëndëve narkotike është shumë e madhe, krahasuar me pritshmëritë, ndërkohë vazhdon puna jonë në luftën kundër armëmbajtjes pa leje. Kemi sekuestruar një numër të konsiderueshëm”, tha Balla.
Në kryeqytet mësohet se prokuroria ka lëshuar më shumë se 80 masa sigurie. Ndërkohë, në drejtorinë Elbasan janë rreth 30 shtetas me masë sigurie. Mësohet se urdhër-arreste janë lëshuar edhe në qytete të tjera.
Në këtë operacion janë angazhuar të gjitha forcat e Policisë së Shtetit, përfshirë dhe repartet FNSH.
Kontrollet u fokusuan pranë shkollave, me qëllim ndalimin e tregtimit të kanabisit dhe drogave të tjera brenda perimetrit të institucioneve shkollore.
Antidroga prej kohësh ka nisur hetimet për goditjen e disa grupeve kriminale të cilët merren me shitje dhe trafik të drograve të forta dhe të lehta.