zoom

Politikë

“Open Balkan” ide e Sorros? Ish-zv.ministrja e Financave sjell në fokus planin me 4 hapa të filantropit

Filantropi i njohur amerikan Xhorxh Sorros ka përpunuar idenë e Ballkanit të Hapur që në vitin 1999, kur pritej shpërbërja e plotë e ish-Jugosllavisë pas sulmeve të NATOs për çlirimin e Kosovës.

Në një shkrim të tij të kohës, Sorros sheh se cila duhet të jetë perspektiva e Europës Juglindore, një hapësirë më e gjerë se Ballkani i sotëm Perëndimor, ku përfshinte edhe Bullgarinë, Rumaninë dhe Moldavinë.

Ishte ish-zv.ministrja e Financave, Irena Beqiraj, e cila e postoi këtë shkrim në”Facebook”, duke bërë dhe një koment të saj në lidhje me koniunkturën e re që paraqitet mes Ballkanit të Hapur të propozuar nga Sorrosi dhe idesë së sotme të përpunuar nga Rama-Vuçiç-Zaev, në të cilën ftohen dhe vendet e tjera të rajonit.

“Emrin e kemi vendosur bash ‘Open Balkan’ si plani qëështë propozuar në artikullin e mëposhtëm që daton në vitin 1999. Shkurt, plani që po kërkojnë të implementojnë sot, në 1999-ën propozohej të bëhej vetëm nën ombrellën institucionale të BE-së edhe me subvencione të BE-së (5 miliardë euro në vit, të paktën për tre vjet). Pas 20 vitesh padyshim që kushtet kanë ndryshuar, por nuk ka ndryshuar aspak fakti që planet ekonomike kanë nevojë për vlerësim kostosh e përfitimesh edhe për institucione të përbashkëta zbatuese. Në mungesë të tyre nuk kemi më një plan ekonomik, por propagandë ose përrallë politike”, shkruan zonja Beqiraj në statusin e saj.

XHORXH SORROS

HAPJA E BALLKANIT

Nju Jork 1999: Presidenti i Jugosllavisë Millosheviç i është nënshtruar fuqisë ushtarake të NATO-s dhe ne mund të psherëtijmë me lehtësim. Për të justifikuar ndërhyrjen tonë, ne tani duhet të sigurojmë një të ardhme më të mirë jo vetëm për popullin e Kosovës, por për të gjithë rajonin, duke përfshirë atë çka la pas Jugosllavia, e cila mbetet në duart e zotit Milosheviç. Ne nuk mund të vazhdojmë të reagojmë ndaj krizave sa herë lindin në Ballkan, veçanërisht pasi veprimet tona mund të kenë pasoja kaq të rënda të padëshiruara dhe negative.

Ne duhet të sjellim një vizion pozitiv, konstruktiv, vizionin që ka krijuar Bashkimin Europian. Ballkani nuk mund të rindërtohet mbi bazën e shteteve kombëtare. Ne kemi parë që përpjekja për të vendosur homogjenitetin etnik mund të çojë në mizori të patolerueshme, vuajtje dhe shkatërrim njerëzor. Është gjithashtu jopraktike. Popullsia e Jugosllavisë, edhe pas përjashtimit të Kosovës, mbetet rreth 25% joserbe. Mënyra e vetme për paqe dhe prosperitet është krijimi i një shoqërie të hapur, në të cilën shteti luan një rol më pak dominues dhe kufijtë zvogëlohen në rëndësi. Kjo është rruga që ka zgjedhur Bashkimi Europian.

Ideja e shoqërisë së hapur u propozua për herë të parë nga Henry Bergson në “Dy burimet e fesë dhe moralit” (Tëo Sources of Religion and Morality, 1932). Ai bëri dallimin midis një ideje fisnore të moralit dhe një ideje universale. E para çon në një shoqëri të mbyllur; kjo e fundit drejt një shoqërie të hapur. Koncepti u zhvillua më tej nga Karl Popper në librin e tij të famshëm “Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj” (The Open Society and its Enemies), ku ai tregoi se shoqëria e hapur gjithashtu mund të kërcënohet nga idetë universale nëse ata pretendojnë një monopol të së vërtetës; por problemet e rajonit kuptohen më së miri në aspektin e formulimit të Bergsonit.

Në luftërat pasuese jugosllave, ne kemi parë një luftë midis koncepteve etnike dhe qytetare të qytetarisë. Në Jugosllavi koncepti qytetar humbi dhe Jugosllavia u shpërbë. Në Europën Perëndimore mbizotëronte koncepti qytetar dhe integrimi i Europës qëndron në kontrast të thellë me shpërbërjen e Jugosllavisë. Bashkimi Europian tani duhet të shtrijë ombrellën e tij mbrojtëse mbi rajonin. Vetë rajoni duhet parë se është më i madh se ish-Jugosllavia, sepse veza e thyer nuk mund të bashkohet përsëri. Duhet të përfshijë Shqipërinë dhe Bullgarinë dhe duhet të jetë i hapur për vende si Rumania dhe Moldavia. Ne nuk duhet të përsërisim gabimet e bëra në Bosnjë.

Përpjekjet e rindërtimit në Bosnjë nuk arritën të gjenerojnë vrull, sepse madhësia e territorit është shumë e vogël dhe njësitë e ndryshme qeveritare, nga ato federale në ato lokale, këmbëngulin t’i kenë gishtat e tyre jo aq të pastër në çdo byrek. Këtë herë angazhimi ynë duhet të shtrihet në të gjithë rajonin. Kjo pikë kuptohet mirë nga politikanët. Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore i nënshkruar në Këln, Gjermani, më 10 qershor, siguron një pikënisje të shkëlqyer. Ai krijon tri grupe pune: për demokratizimin dhe të drejtat e njeriut; për rindërtimin, zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik; dhe për çështje sigurie. Ai ofron një kornizë që pret të mbushet me përmbajtje. Përmbajtja mund të nxirret nga një punim i përgatitur nga Qendra për Studime të Politikave Europiane (CEPS) në Bruksel.

Thelbi i planit përbëhet nga katër hapa të ndërlidhur:

(1) Bashkimi Europian merr kontrollin e shërbimeve doganore të vendeve pjesëmarrëse.

(2) Bashkimi Europian kompenson vendet për humbjen e të ardhurave doganore nga buxheti i tij. Shuma e subvencionit nga buxheti i BE-së do të jetë në rajon prej 5 miliardë eurosh në vit. Kjo përshtatet në mënyrë të përkryer me buxhetin “Europe 2000” të rënë dakord në Berlin.

(3) Kompensimi mund të pasqyrojë humbjen e mundshme dhe joaktuale të të ardhurave, por elementi i subvencionit do të kushtëzohej rreptësisht nga performanca. Për shembull, Serbia do të duhet të zhvillojë zgjedhje nën patronazhin e OSBE-së në mënyrë që të jetë e pranueshme. Kjo ka më shumë gjasa të heqë Millosheviçin nga pushteti, sesa bombardimet.

(4) Me mbështetjen buxhetore nga BE-ja, vendet do të kalonin në euro (ose DM derisa të futet euro), si monedhë e përbashkët. Bullgaria tashmë ka një bord të suksesshëm të monedhës bazuar në DM; vendet e tjera nuk do të kishin nevojë as për një bord valutor. Të marra së bashku këto katër masa, në rastin e parë do të krijonin një zonë të tregtisë së lirë të ngjashme me Beneluksin.

Sapo BE-ja të jetë e kënaqur me kontrollin e saj mbi doganat, ajo do ta pranonte zonën në Tregun e Përbashkët Europian. Tregtia me produktet bujqësore, e cila është shtylla kryesore e rajonit, mund të mbetet subjekt i kufizimeve, por BE-së do t’i duhet të tregojë një zemërgjerësi që plani të ketë sukses. Hapi i dytë do të ndodhte brenda një të ardhmeje të parashikueshme, të themi dy vjet.

Në të ardhmen më të largët vendet gjithashtu do të pranoheshin si kandidatë për anëtarësim të plotë. Një numër hapash të tjerë do të ishin të nevojshëm: lehtësira kreditore për rindërtim dhe investim; asistencë teknike për vendosjen e sundimit të ligjit; mbështetje për arsimin, trajnimin e menaxhimit, mediat e pavarura dhe shoqërinë civile. Nevojat janë të njohura dhe rrjeti im i fondacioneve të Shoqërisë së Hapur tashmë është aktiv në fushat e ndryshme të programit. Por janë katër hapat e ndërlidhur të përshkruar më sipër që japin një perspektivë për një të ardhme më të mirë.

Njerëzit në rajon janë duke thirrur për të. Doganat jo thjesht ndajnë vendet, ato janë gjithashtu një burim i fuqishëm i korrupsionit dhe ndërhyrjes. Heqja e tarifave doganore do të zvogëlonte aftësinë e qeverive për të ndërhyrë në zhvillimin ekonomik; ato do të duhet të konkurrojnë për të tërhequr investime në territorin e tyre, në vend që të paraqesin pengesa, siç bëjnë aktualisht. Kontributi fillestar nga BE do të shumëfishohej me investime private. Ky është faktori që e bëri planin “Marshall” kaq të suksesshëm. Ky plan për një shoqëri të hapur në Europën Juglindore do të impononte kosto për anëtarët e BE-së, por shumat janë të vogla, sepse i gjithë rajoni është më i vogël në aspektin ekonomik sesa Holanda. Kostot krahasohen në mënyrë të favorshme me ndërhyrjen ushtarake dhe humanitare; në aspektin njerëzor dhe politik nuk ka krahasim