Aplikacion
Nga: Zoom.al
Një skemë që përfshin një nga kompanitë më të mëdha të telekomunikacionit në vend me një kompani marketingu të lidhur ngushtë me familjen e Erion Veliajt ka krijuar shqetësim në mënyrën se si buxhetet e marketingut të kompanive private po përdoren për interesa politike, kryesisht për të ndikuar në media.
Kompania e telekomunikacionit “One Albania” ka kontraktuar për marrëdhëniet me publikun dhe shpërndarjen e reklamave kompaninë “Gogel”, pas të cilës qëndron Arbër Veliaj, vëllai i Erion Veliajt, kryetarit të Bashkisë së Tiranës që është në burg me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO për korrupsion, fshehje pasurie e pastrim parash.
Zoom.al ka mësuar se nga burime të besueshme se në kohën e nënshkrimit të kontratës mes “One Albania” dhe “Gogel”, fakti që pas kompanisë së marketingut “Gogel” qëndronte vëllai i kryebashkiakut, ka pasur një rol deciziv.
Por tani që Erion Veliaj është në burg dhe “Gogel” është pjesë e dosjes hetimore të SPAK, lënia në dorë e imazhit të “One Albania” kësaj kompanie është vënë në pikëpyetje.
Burime të besueshme konfirmojnë për Zoom.al se “Gogel” është bërë një qendër kontrolli për buxhetet e reklamave të “One Albania”, duke ndikuar drejtpërdrejt se cilat media duhet të përfitojnë dhe cilat jo. Nga një monitorim i bërë nga redaksia e Zoom.al rezulton se mediat kritike ndaj Veliajt nuk kanë reklama të “One Albania”, ndërsa ato që e mbështesin kryetarin e Bashkisë së Tiranës vazhdojnë të furnizohen me fonde të majme në formën e reklamave, pavarësisht besueshmërisë, ndikimit e numrit të lexuesve.
Sipas raportimeve mediatike, BKH ka ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë “Gogel”, por nuk është e qartë se çfarë kanë gjetur agjentët specialë.
Në dosjen e SPAK për hetimin e Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, thuhet jo vetëm “One Albania” i ka dhënë shuma të majme deri në 5 milionë euro kompanisë “Gogel”, por se edhe ajo ka përfituar fonde të konsiderueshme nga Bashkia e Tiranës nëpërmjet pjesëmarrjes në tendera publikë.
“Nga hetimi rezulton se klienti kryesor i ‘Gogel shpk’ është shoqëria ‘One Albania’, me një total shitjesh prej 551.639.924 lekë të reja. Evidentohet se kompania ‘One Albania’ ka marrë pjesë në disa procedura të prokurimit publik dhe ka arritur të shpallet fituese në disa prej tyre, duke bashkëpunuar kryesisht me qeverisjen vendore Tiranë”, thuhet në vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurisë arrest me burg për Erion Veliaj.
Tenderat e fituar nga “One Albania”:
Këto fakte ngrenë dyshime të forta se tenderat i janë dhënë kompanisë “One Albania” në këmbim të kontratës për “Gogle”. Por po ashtu, ka dyshime se kjo është një skemë e shpërndarjes së parave publike në media nga Bashkia e Tiranës nëpërmjet “One Albania”.
A e di “One Albania” se ku po shkojnë paratë e saj?
Disa pyetje thelbësore që ngrihet nga kjo marrëdhënie janë: A është e vetëdijshme “One Albania” për mënyrën se si “Gogel” po i shpërndan fondet e saj? Apo mos ndoshta kjo kompani ka hyrë vetë në këtë lojë për të siguruar favore politike? A kemi të bëjmë në këtë rast me një rrjet të mirëorganizuar ku fondet publike të dhëna nga Bashkia e Tiranës për “One Albania”, mund të jenë përdorur për të mbështetur interesa politike dhe për të manipuluar tregun mediatik në vend?
Nëse “One Albania” është e pavetëdijshme, atëherë jemi përballë një rasti ku një kompani private është manipuluar për interesa të ngushta politike. Por nëse është e përfshirë me vetëdije, atëherë bëhet fjalë për një skemë të qartë trafiku influencash, që mund të kërkojë ndërhyrje të SPAK dhe institucioneve rregullatore.
“Gogel” dhe sulmet ndaj Belinda Ballukut, një paradoks absurd
Një tjetër aspekt i dyshimtë i kësaj skeme është fakti se disa media që financohen nga buxheti i “One Albania”, përmes “Gogel”, janë ndër më të zellshmet në sulmet ndaj numrit dy të qeverisë, ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Kjo përben një rast të çuditshëm, pasi telekomunikacioni është një sektor që varet nga ministria e drejtuar nga Balluku.Me fjalë të tjera, fondet e një kompanie telekomunikacioni, përdoren për të sulmuar ministren që mbikëqyr këtë sektor.
Ky paradoks ngre dyshime të forta për një lojë më të thellë politike brenda radhëve të Partisë Socialiste, ku “One Albania” mund të jetë kthyer në një mjet për të luftuar rivalitetet e brendshme të pushtetit, mes Erion Veliajt e Belinda Ballukut, me vetëdije ose duke u përdorur në mënyrë të fshehtë.
Nuk është e qartë nëse SPAK ka prova për trafik influencash nga “Gogel” dhe po ashtu si është e mundur që një kompani prestigjioze si “One Albania” ka hyrë në këtë skemë.
Nëse do të provohej që fondet e një kompanie private po përdoren për të ndikuar në peizazhin mediatik sipas interesave të një politikani të burgosur, atëherë ky është një rast i rëndë i deformimit të tregut mediatik për interesa politike.
A do të përgjigjet “One Albania” për këto akuza?
Kompania që kontrollohet nga hungarezë të 4IG e ka treguar edhe më parë se anon nga pushteti. Ajo ishte dikur shumë pranë ish -zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, por me rënien e tij nga pushteti dhe shpalljen në kërkim nga SPAK, u atashua me Erion Veliajn nëpërmjet lidhjes me “Gogel -in” e vëllait të tij.
Tani që Veliaj është në të njëjtën situatë si Ahmetaj është e pritshme që “One Albania” të distancohet edhe nga Veliaj.
Data për nënshkrimin e kontratës me “Gogle” po afron dhe mbetet për t’u parë nëse “One Albania” do të vendosë që vazhdojë të jetë pjesë e lojërave politike të kryebashkiakut që sot gjendet pas hekurave apo do të distancohet prej tij.
Zoom.al do të vijojë ta ndjekë këtë çështje, për shkak se të dhënat e grumbulluara deri tani nga redaksia jonë ngrenë dyshime për krijimin e një skeme të pastër të përdorimit të parave të “One Albania” për të ndikuar tregun mediatik në vend, në favor të një politikani të akuzuar për korrupsion, feshehje pasurie e pastrim parash.