zoom

Politikë

Olta Xhaçka thyen urdhrin e Ramës, tre javë e larguar nga rrjetet sociale! Ftohje apo…

Nervozizmi te ish-ministrja socialiste Olta Xhaçka duket se po shfaqet edhe në rrjetet sociale e sjelljet virtuale.

Deputetja që po kalon ditë jo të mirapër shkak se Kushtetuesja i ka cilësuar mandatin si të paligjshëm për konflikt interesi dhe Kuvendi nuk e zbaton vendimin prej një viti, tashmë ka edhe hallet e bashkëshortit dhe SPAK, që po heton investimin strategjik të tjetërsimit të mijëra metra katrorë truall në Himarë.

Për çështjen ndodhet në qeli kryebashkiaku në detyrë i Himarës, Jorgo Goro. Opozita kërkon edhe hetimin e Xhaçkës pasi t’i hiqet mandati, për konfliktin e interesit.

Dhe ndikuar nga kjo situatë penale dhe politike, Xhaçka duket se ka lënë mënjanë një nga porositë e kryeministrit Edi Rama, duke treguar një lloj “ftohje” me liderin socialist. Nuk është më aktive në rrjetet sociale, sipas porosisë së tij në Asamblenë Kombëtare të 11 shkurtit, ku Rama iu drejtua Xhaçkës, por edhe të pranishmëve të tjerë, duke i kërkuar të jenë aktivë në rrjetet sociale.

Sipas informacioneve, “Rilindja” ka ndërtuar një strukturë të organizuar, që funksionon në rrjetet sociale, që nga shpërndarja me detyrim e postimeve të kryeministrit, apo kryetarëve të bashkive, deri te monitorimi i çdo komenti, majde edhe me sistem pikësh.

Dhe presioni i Ramës e bëri menjëherë efektin. Të nesërmen, e 12 shkurtit, pas një pushimi të gjatë, Xhaçka u rikthye në rrjetet sociale.

Por problemet e fundit të ish-ministres, që pret me ankth të humbasë mandatin e deputetes dhe jo vetëm, pasi SPAK mund ta hetojë së bashku me bashkëshortin, Artan Gaçi, ish-deputet socialist, ka ndryshuar situatën edhe në rrjetet sociale.

Rikthimi i Xhaçkës në rrjetet sociale duket se nuk zgjati shumë. Aktualisht bën plot 19 ditë që nuk ka bërë më asnjë postim në rrjetet sociale. Asnjë fjalë e kryeministrit e shpërndarë për 19 ditë, asnjë sukses i qeverisë nuk është ripostuar në profilin e saj në Facebook.

Dhe kjo tregon ose shqetësimet personale që rëndojnë dhe ndikojnë më shumë se porositë e Kryeministrit, ose një ftohje mes tyre politike dhe miqësore, sepse Rama mund të ketë vendosur ta “lëshojë” dhe të mos e mbrojë më. /ZOOM.AL/