zoom

Sport

Nuk kanë fund telashet për Djokovic-in/ Australia i anulon sërish vizën

Ministri australian i Emigracionit, Alex Hawke përdori fuqinë e tij për të anuluar vizën e Novak Gjokoviçit (Djokovic), ndërsa avokatët e tenistit serb përgatiten të apelojnë menjëherë në qarkun federal dhe gjykatën familjare, siç kishin bërë tashmë pas anulimit të parë.

Nëse numri një i botës nuk e kundërshton vendimin në gjykatë ose nuk arrin ta bëjë këtë gjë, ai do të dëbohet menjëherë nga vendi.

Kështu qeveria australiane ia anuloi vizën Novak Gjokoviçit për herë të dytë dhe sipas ministrit të Emigracionit vendimi u mor “për arsye të shëndetit dhe rendit publik, pasi ishte në interes të popullatës ta bënte këtë”.

“Sot ushtrova fuqinë time sipas nenit 133C (3) të Aktit të Migracionit për të anuluar vizën e mbajtur nga z. Novak Gjokovic për arsye të shëndetit dhe mbajtjes së rregullit”, thuhet në deklaratën e ministrit Hawke – mbi bazën se kjo ishte në interes të publikut.

Ky vendim pasoi urdhrat e Gjykatës Federale të Qarkut dhe Familjes të datës 10 janar 2022, e cila rrëzoi një vendim të mëparshëm anulues për arsye të drejtësisë procedurale. “Në marrjen e këtij vendimi, kam shqyrtuar me kujdes informacionin e dhënë nga Departamenti i Punëve të Brendshme, Forca Kufitare Australiane dhe Z. Gjokovic. Qeveria Morrison është e vendosur për të mbrojtur kufijtë e Australisë, veçanërisht në lidhje me pandeminë COVID-19”.

Novak Gjokoviç mund të detyrohet të largohet nga vendi brenda disa orësh pasi Ministri i Emigracionit Alex Hawke përdori fuqinë e tij personale për të anuluar vizën e tij të hyrjes në Australi. Ndërkohë avokatët e tij po përgatiten të kundërshtojnë vendimin. Nëse Gjokoviç nuk apelon me sukses vendimin, ai mund të përjashtohet nga Australia për tre vjet.
Në rast se Gjokoviç do të përjashtohej nga “Australian Open”, vendin e tij do ta zërë Rublev.

Postime të lidhura