zoom

Ekonomi

Njësoj si vendet “offshore”/ Shqipëria mbetet në listën gri të pastrimit të parave edhe në 2023

Shqipëria vijon të jetë në listën gri të shteteve me rrezik për pastrimin e parave dhe financimin e terrorizimit, edhe për 2023-shin.

Gjithsesi, Moneyval, struktura  e vlerësimit nga Komisioni Europian, tregon se ka pasur përmirësim të ndjeshëm. Raporti i sapopublikuar zbuloi se Shqipëria ka përmirësuar përputhjet e saj me 25 rekomandimet e task-forcës financiare.

“Që nga qershori 2022, Shqipëria mori masa shtesë, të cilat adresuan mangësi të rëndësishme në lidhje me administruesit e besuar që i nënshtroheshin kërkesave për parandalimin e pastrimit të parave dhe aksesin e thjeshtësuar në informacionin e pronësisë përfituese për autoritetet kompetente. Për më tepër, Shqipëria përmirësoi masat për rregullimin dhe mbikëqyrjen e noterëve dhe agjentëve të pasurive të paluajtshme. Autoriteti licencues për noterët tani është i autorizuar të revokojë licencat për shkelje të legjislacionit “, thuhet në raport.

Shqipëria prezantoi gjithashtu mbikëqyrjen e bazuar në rrezik mbi agjentët e pasurive të paluajtshme.

Në përgjithësi, Shqipëria ka bërë përparim në adresimin e shumicës së mangësive të përputhshmërisë teknike të identifikuara në Raportin e saj të Vlerësimit të Ndërsjelltë 2018. Nga 40 rekomandimet, Shqipëria ka aktualisht:  6 rekomandime të vlerësuara në përputhje • 31 Rekomandime të vlerësuara Kryesisht të Përputhshme  2 rekomandime të vlerësuara pjesërisht të pajtueshme dhe 1 të pazbatueshme .

Shqipëria u vendos në listën e vendeve me mbikqyrje të thelluar për pastrimin e parave (lista gri), në verën e vitit 2018. Që nga ajo Moneyval ka bërë 4 raporte ndjekje për të parë progresin e vendit në luftën kundër pastrimit të parave. Por asnjëri nga këto raporte nuk ka dalë në konkluzionin se Shqipëria duhet të dalë nga statusi i mbikqyrjes së thelluar.

Nga 40 kritere që përdor Moneyval për të vlerësuarin kuadrin e pastrimit të parave në një shtet, Shqipëria renditet plotësisht në përputhje në 6 prej tyre. Për 31 kritere të tjera vendi renditet përgjithësht në përputhje, në 2 kritere renditja është pjesërisht në përputhje, ndërsa 1 kriter nuk është marrë në vlerësim.

Shqipëria pritet të raportojë sërish në komitetin Moneyval pas dy vitesh. Me sa duket gjatë kësaj kohe, vendi do të vazhdojë të qëndrojë në listën gri të pastrimit të parave, bashkë me shtete si Kongo, Jemeni apo ishujt Cayman.