zoom

In Zoom

Një histori e shkurtër e dështimeve jetëgjata në Kadastër dhe rasti i Lalëzit

E lindur në vitin 2018, pas shkrirjes së katër institucioneve të tjera, Kadastra mbetet ende një dhimbje koke për shqiptarët. Epoka e digjitalizimit, siç e quan kryeministri Edi Rama nuk ka nisur mbarë.

Kadastra doli nga shkrirja e ALUIZNI-t, Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipotekës) dhe Agjencisë së Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike (AITPP), për të qenë nën varësinë e kryeministrisë, por me bordin e vet drejtues, kryesuar nga Artan Lame, i cili më herët drejtonte ALUIZNI-n. Prezantuar asokohe nga numri dy i qeverisë, Erjon Braçe, të dy thanë se objektivi kryesor i qeverisë ishte zgjidhja e problemeve me pronat dhe certifikimi i tyre, gjë që nuk ishte arritur kur institucionet ishin të ndara.

Kjo nuk rezultoi e vërtetë. Herët kur Lame dilte në konferenca për shtyp ishin kur tregonte problematikat e Kadastrës dhe asnjëherë sukseset. Lame denonconte ryshfetet, falsifikimet dhe zgjatjet e proceseve që sipas tij ishin ndër pengesat kryesore të këtij institucioni. Në një konferencë të vitit 2019, Lame i habiti të gjithë kur iu shfaq publikut live me fjalët: “O më thoni të bëj Kadastrën, o më thoni të bëj qokat për miqtë. Të dyja bashkë nuk mund të bëhen”. Askush nuk e kuptoi për kë ishte mesazhi i ish-kreut të ASHK-së.

Kadastra u bë dhimbje koke edhe për Ambasadën Amerikane në vend; ambasadorja Yuri Kim bënte thirrje për mbylljen e hapësirave për korrupsion dhe për të vënë para ligjit përgjegjësit e krimit brenda institucionit.

Vetë kryeministri Rama dëshmonte “kërcënime nga të katërta anët, për të finalizuar, prioritizuar apo ndryshuar dokumenta ku kishte akses” duke nënkuptuar se një institucion jetik për shtetin, ishte i kapur.

Problemet në Vlorë dhe rasti i Lalëzit

Vlora dhe Durrësi, ishin dy ngërçet më të mëdha të Kadastrës, ku problemet me pronat ishin pasojë e konflikteve disavjeçare, ku përfshiheshin emra të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë dhe kontigjentë kriminalë.

Që nga viti 2019, në Vlorë janë ndërruar 14 drejtorë të Kadastrës. Problematikat atje nisën pak pasi ishte krijuar institucioni, me konstatime falsifikimesh, abuzimesh me legalizimet dhe vonesa në procedura. Pak muaj më parë, ASHK kallëzoi në SPAK shtatë zyrtarë, përfshirë drejtuesin aktual, Erdet Mandi, për “shpërdorim detyre”. Largimet e drejtuesve, vetë apo nga qeveria, Lame i quajti atëherë “rënie të piramidave të vjetra” dhe paralajmëroi se e njëjta gjë do të ndodhë edhe në qytetet e tjera. Ish-drejtori Lame pranoi publikisht se Kadastra atje përballej me presione kriminale.

Në verën e 2021, ngërçi i Kadastrës u spostua në Durrës, kadastra e së cilës u transferua në Tiranë, e kjo “për shkak të procedurave të tejzgjatura”.

Në nëntor të vitit 2019, prokurori Arjan Ndoj ra pre e një atentati, shoqëruar nga një person me precedentë kriminalë i njohur si “Rrumi”. Në atëentat mbeti i vrarë shoferi i tij. SPAK akuzoi për këtë vepër Redjan Rrajën dhe Arjol Halilajn, të cilët pak javë më parë u shpallën fajtor, me Rrajën që mori burgim të përjetshëm.

Nga burime jozyrtare thuhej se ngjarja lidhej me lëvizjen e pronësisë së 200 hektarëve tokë në Gjiri e Lalëzit. Për të njëjtën çështje mbeti i vrarë pas një atentati me bombë në makinën e tij edhe gjyqtari Skerdilajd Konomi.

Kështu, ASHK-ja e Durrësit, dorëzoi nën masa të forta sigurie të gjitha arkivat e saj, ku ishin dosjet e bujshme të konflikteve të pronësisë në bregdet. Askush nuk pranonte atëherë të punonte në këtë zyrë, dikur mjaft e lakmuar, pikërisht nga ndërhyrjet dhe fshirjet që ishin bërë në dokumentat reale.

Këto zëra u konfirmuan zyrtarisht nga vetë Lame kur tha se agjencia kishte identifikuar në të paktën 3.115 raste në zonat bregdetare të Durrësit, ku ka ndërhyrje në regjistrat e Kadastrës.

“Janë 730 faqe të grisura, 243 faqe të zëvendësuara. Pra kanë hequr një faqe dhe kanë vendosur një faqe tjetër. 569 faqe të dubluara, pra e njëjta pasuri është e regjistruar dy herë për dy persona të ndryshëm. Janë 1548 faqe bosh që janë brenda regjistrave, të cilat lihen me qëllim që kur të vinte hallexhiu i radhës dhe ta fusnin në ato faqe. Ka pafundësisht ndërrime fletësh që janë bërë në hartë”, deklaronte Lame në marsin e vitit 2022.

Pak muaj pas konflikteve në Durrës, në janar 2022 kreu i Kadastrës mori një propozim nga qeveria: shkrirjen e të gjithë zyrës rajonale të ASHK-së në Durrës. Propozimi, mbeti pa një përgjigje, të paktën publikisht.

Lame e la Kadastrën në shkurt të këtij viti duke thënë se po largohet pasi “mbaroi reformimin”.

Edhe kjo u hodh poshtë, po nga kryeministri.

Më 30 qershor 2023,  Rama pranoi se ndonëse kaq shumë kohë në qeveri, në Kadastër nuk ka pasur asnjë përmirësim, madje ajo ndodhet në gjendje katastrofike.

Njëzëri me Bicin, Rama tha se fundin e korrupsionit dhe zvarritjes e sjell vetëm digjitalizimi dhe largimi i individëve. Rama tregoi se “Kadastra nuk do të funksionojë më fizikisht pas 3 korrikut dhe dyert do të mbyllen për këdo që i kishte të hapura se aty kishte miq, krushq apo se thjesht ishte i Partisë Socialiste”. Kreu i qeverisë vazhdoi të tregonte “çudirat që kam parë tek Kadastra, ku janë dhënë letra për shkëmbinj, për ujë deti dhe një tokë u është dhënë disa personave njëkohësisht”.

“Kadastra është një bankë dhe aty duhen bankierë e jo banakierë”, tha ndër të tjera kreu i qeverisë në prezantimin e Reformës digjitale të Kadastrës.

Në pak vite jetë, Kadastra ka dështuar dhjetëra herë dhe duket vështirë të besohet se zgjidhja është digjitalizimi. Gjithsesi, rezultati mund të vijë në pak kohë dhe ndoshta “dita e mirë duket që në mëngjes”, nuk është rasti i Kadastrës. /Zoom.al