zoom

In Zoom

Një Drejtor Policie me Telefon të Sekuestruar nga SPAK. Qeveria vazhdon të heshtë

Në shtator të vitit të shkuar (2024), mediat kryesore në vend raportuan se Ilir Prodës, drejtorit aktual të policisë, i ishte sekuestruar telefoni celular nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Sekuestrimi u bë në kuadër të një hetimi mbi dyshimet për dekonspirimin e një operacioni për kapjen e grupit kriminal të drejtuar nga vëllezërit Çopja. Operacioni, i zhvilluar më 31 korrik 2024, synonte arrestimin e anëtarëve të këtij grupi, por rezultoi i pasuksesshëm në kapjen e disa prej tyre, duke ngritur dyshime për nxjerrje të informacionit nga brenda strukturave policore.

Në atë kohë Ilir Proda mbante postin e drejtorit të policisë së Elbasanit.

Përveç sekuestrimit të telefonit të Prodës, u vunë nën hetim edhe 10 policë dhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët ishin të përfshirë në ekzekutimin e masave gjatë operacionit. SPAK mori në pyetje edhe tre drejtues të tjerë të policisë që kishin dijeni për operacionin.

Pak javë më vonë, emri i Ilir Prodës u afishua në listën e kandidatëve për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Mediat risollën me shqetësim në vëmendje faktin se Prodës i ishte marrë telefoni nga SPAK. Por Proda nuk u tërhoq nga gara e as Ministria e Brendshme, si organizatore e konkursit, nuk e pa të aryeshme ta skualifikojë. Fijet dukej se lëvizeshin diku më lart dhe gjithçka ngjante e paracaktuar.

Zgjedhja e tij në krye të policisë në mesin e këtyre zhvillimeve ka ngritur pikëpyetje serioze mbi integritetin dhe besueshmërinë e tij.

Në praktikën e drejtësisë penale, sekuestrimi i një telefoni kryhet vetëm nëse prokurorët kanë dyshime të bazuara se në atë pajisje mund të gjenden prova të një veprimtarie të paligjshme, kriminale. Pra, logjikisht, sekuestrimi nënkupton një dyshim serioz mbi integritetin e zyrtarit në fjalë.

Imagjinoni sikur telefoni t’i ishte sekuestruar nga prokuroria shefit të policisë në Itali, Gjermani apo Francë. A do të mund të vazhdonte detyrën numri një i policisë në një shtet europian, ndërkohë që telefoni i tij do të ishte nën shqyrtimin e prokurorisë për çështje të dyshimta? Afërmendsh që jo. Reagimi politik, institucional e qytetar do të kishte qenë i menjëhershëm dhe drejtori i policisë do të ishte larguar vetë ose do të shkarkohej deri në sqarimin e plotë të çështjes.

Por në Shqipëri dihet se standardet janë të tjera. Qeveria hesht, ndërsa vetë drejtori i policisë vazhdon të mbajë postin, si të mos kishte ndodhur asgjë, duke dhënë kështu një mesazh të rrezikshëm për besimin e publikut tek institucionet e rendit dhe ligjit.

Nëse Prokuroria e Posaçme e ka parë të nevojshme të sekuestronte telefonin e kreut të policisë, qeveria nuk mund të rrijë spektatore. Ministri i Brendshëm do të duhet të kishte kërkuar së paku pezullimin, për të treguar se Policia e Shtetit nuk mund të drejtohet nga individë të kompromentuar. Çdo qëndrim tjetër nuk bën gjë tjetër veçse ushqen më shumë dyshime dhe cënon në mënyrë serioze besimin e qytetarëve tek institucionet./ Zoom.al

Postime të lidhura