zoom

Aktualitet

Nikulaj u vra për gjakmarrje/ Në kërkim ekzekutori portugez, 4 britanikë dhe 1 shqiptar

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në një deklaratë për mediat, zbardhi detaje për vrasjen e biznesmenit Ardjan Nikulaj, më 19 prill në Shëngjin.

Ai tha se janë siguruar prova biologjike të pakundërshtueshme, që i përkasin autorit të kësaj ngjarje të rëndë.

Nga provat janë caktuar masat e sigurisë për 6 persona. Një shtetas me kombësi shqiptare dhe britanike, një portugez dhe 4 britanikë, mes tyre një vajzë. Sa i takon ekzekutorit, Rrumbullaku konfirmoi se ai është shtetasi portugez.

Autorët sipas Rrumbullakut, janë larguar nga territori shqiptar. Sa u përket motiveve, kreu i policisë së shtetit tha se pas saj qëndron gjakmarrja.

Porositës i vrasjes dyshohet të jetë pikërisht Edmond Haxhia, i cili po hetohet si organizator, porositës dhe financues i krimit.

Edmond Haxhia është djali i dajës së Elton Lekstakajt. Fisi Lekstakajt kishte një konflikt me Nikulajn që prej 97-s. Haxhia ka shtetësi shqiptare dhe britanike.

“Pas ngjarjes, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me qëllim dokumentin dhe zbardhjen e autorësisë. Policia e Shtetit e vlerëson këtë ngjarje dhe për zbardhjen janë sekuestruar një sërë provash që shërbejnë për dokumentin e ngjarjes. Janë gjetur gëzhoja, armë zjarri, telefon dhe disa prova të tjera biologjike. Janë dokumentuar veprimet e autorit të dyshuar dhe e gjithë dinamika e shtetasve të përfshirë në këtë ngjarje kriminale. Janë siguruar prova shkencore biologjike të pakundërshtueshme”, tha ai, duke shtuar: “Gjithashtu jemi në një fazë të dytë të operacionit në terren me institucione ndërkombëtare”.

Personat e shpallur në kërkim janë: Edmond Haxhia, shtetas me shtetësi shqiptare dhe britanike;

Ruben Saraiva, shtetas portugez

Harry Simson, shtetas britanik

Harriet Bridgeman, shtetase britanike

Thomas Mithan, shtetas britanik

Steven Hunt, shtetas britanik.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 19 prillit, ku autori qëlloi me 7 plumba mbi Ardian Nikulaj, teksa ky i fundit ishte i ulur në lokalin e tij, ndërsa më pak u largua me motor.

Nikulaj njihej si një biznesmen ndërtimi në zonë, ndërsa ka qenë edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2021.