zoom

Politikë

Nikolla e fton në aktivitetin e 25-vjetorit të Kushtetutës, Bardhi: Para festës, respekto ligjin!

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me ftesën që kryeparlamentarja Lindita Nikolla i ka bërë atij në lidhje me një ceremoni në kuadër të 25-vjetorit të Kushtetutës.

Bardhi i ka dërguar një letër Nikollës, ku thekson se kryeparlamentarja të respektojë kushtetutën.

Letra e plotë:

“Znj. Nikolla!

Në adresë të të gjithë deputetëve të opozitës është dërguar një ftesë për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë: “25 vjet të Kushtetutës Shqiptare”. Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, me lejoni t’ju përcjell pamundësinë tonë për të marrë pjesë në këtë konferencë, për shkak të veprimeve të mazhorancës.

 

 

Së pari, duket më shumë se ironike që Konferenca për 25 vjet Kushtetutë të organizohet nga ana juaj, si përfaqësuese e një mazhoranca që në mënyrë të vazhdueshme dhunon Kushtetutën. Vetëm gjatë muajit të fundit ju keni vendosur të asgjesoni të drejtat kushtetutese të opozitës, duke injohur hapur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ju personalisht, injoroni zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ku prej 10 muajsh refuzoni të zbatoni vendimin nr. 1, datë 23.1.2023 të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë arsye, përpara organizimit të festave mbi Kushtetutën, do të ishte më e përshtatshme që ju të tregoni shembullin e respektit ndaj Kushtetutës.

Së dyti, në axhendën e aktivitetit rezulton që të keni injoruar përfaqësimin e të gjithë spektrit politik në Kuvendin e Shqipërisë, dhe nga ku rezulton se deputetët e opozitës janë ftuar vetëm si dëgjues të fjalës tuaj! Në këtë mënyrë, ju keni vetpërjashtuar opozitën nga ky aktivitet.

Duke shpresuar që në fjalën tuaj në këtë aktivitet do të keni mundësinë edhe të shpjegoni arsyet e refuzimit për të zbatuar vendimin nr. 1, datë 23.01.2023 të Gjykatës Kushtetuese, gjejmë rastin t’ju sjellim edhe njëherë në vëmendje që do të ishte në nderin tuaj që me rastin e 25 vjetorit të Kushtetutës të Shqipërisë të shpallnit se keni vendosur ta zbatoni këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese”. /ZOOM.AL/