zoom

Aktualitet

Ngriti plantacion hashashi me 5 mijë rrënjë më 2016, Italia sjell në pranga të kërkuarin (EMRI)

Policia njoftoi se Italia ka sjellë në pranga një të shumëkërkuar për ngritjen e një plantacioni hashashi në vitin 2016 me 5 mijë rrënjë, ndaj të cilit ish-Gjykata e Krimeve të Rënda kishte dhënë masën “arrest me burg”.

Burime zyrtare konfirmuan se i ekstraduari dhe arrestuari është Armando Sulaj, i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, me vendimin penal nr. 192 Akti, datë 26.12.2018, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “grupi i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet 283, 283/a, 333/a dhe 334 te K. Penal.

“Në periudhën gjatë muajve Prill-Maj të vitit 2016 shtetasi Armando Sulaj, në bashkëpunim me shtetas të tjerë pasi siguruan me parë sipërfaqe toke në pyll apo kullota, në pronësi të shtetit ose të personave privatë kultivuan në to bimë narkotike të llojit Cannabis Sattiva. Kultivimi u krye në parcela të madhësive të ndryshme, në sasi nga 4500 deri në 5000 rrënjë bimësh narkotike. Për kultivimin, mbarëvajtjen e aktivitetit dhe ruajtjen e tij ata aktivizuan një numër personash që u sistemuan në kasolle të ndërtuara pranë parcelave”, thuhet në njoftimin zyrtar, bazuar te dosja hetimore për ngjarjen.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Roma/Itali, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë. /ZOOM.AL/