zoom

In Zoom

Nga Ujku i Cërrikut te tullumbacet e Sheikut të Durrësit, çfarë fsheh cirku i policisë së Taulantit

Ministria e Brendshme mbetet ende një sfidë më vete e qeverisë Rama. E përfolur vazhdimisht si një mekanizëm i çalë, që nuk arrin të vërë në punë funksionimin e forcës së ligjit në vend, pritshmëritë, sa herë vihet një ministër apo një tjetër janë të larta. Premtohet ndryshim, por në fund skenari është i njëjtë: show për hiçgjë.

Prej disa muajve në krye të kësaj ministrie, Taulant Balla kërkon të tregojë se ka ardhur me revansh në këtë post, përballë krimit që ka mbërthyer vendin.

Me zotime madhore dhe nje gjuhë në dukje agresive ndaj paligjshmërive, që janë pasuar nga operacione policore te rëndomta, të cilat po përfshijnë në çdo çast prononcimet e ministrit përpara kamerave dhe shitjen e tyre si shkundje të themeleve të krimit.

Pak ditë më parë, arrestimi i “Ujkut të Cërrikut”, një personazh me probleme të shëndetit mendor e shndërroi në qesharak një operacion të policisë kundër disa shpërdarësve të lëndëve narkotike, ku sipas policisë u arestuan 233 persona. Teksa Taulant Balla pozonte mes 5 drejtorëve të policisë në qarqe dhe drejtorit të Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku, Lumë komentesh rrodhën në internet, ku qytetarë të ndryshëm u shprehën se shteti po merrej me shpërndarës të rëndomtë droge dhe jo me peshqit e mëdhenj.Në fakt, ky do të mbetet në histori si një prej operacioneve më të mëdha kundër trafikut të drogës, pa u arrestuar asnjë trafikant.

Sot policia njoftoi se pas shpërndarësve të hashashit u është vënë pas tullumbaceve me azot, një substancë edhe kjo psikotrope që përdoret rëndom në disa bare në Tiranë. Dhe kush u vu në pranga? I arrestuari është një personazh TikTok-u, i njohur si Sheiku i Durrësit, një lloj sivëllau i Ujkut të Cërrikut.

Por teksa policët e Ballës merren me qeset e hashashit të Ujkut të Cërrikut dhe tullumbacet e Sheikut të Durrësit, paratë e bosëve të drogës kanë mbuluar aq shumë vendin, saqë e kanë çuar Euron në rekorde historike negative në raport me lekun.

Raporte të ndryshme të agjencive të specializuara kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave nënvizojnë se Shqipëria është shndërruar në një prej lavatriçeve kryesore të pastrimit të parave të trafikantëve të mëdhenj të drogës.

Përballë këtij realitet, operacionet e fundit të policisë së Taulantit ngjajnë si një shfaqje cirku për të tërhequr vëmendjen nga problemet reale të kriminalitetit në këtë vend, i cili po dikton jo pak herë edhe axhendat politike. E nëpër shfaqje tullumbacet si ato që zuri policia e Taulantit, zakonisht nuk mungojnë. Por mjafton t’i shposh që gjithësecili nga spektatorët e shfaqjes të vijë në vete e të shohë se përtej cirkut rreziku nuk vjen nga Ujku i Cërrikut apo Sheiku i Durrësit, por nga grupet kriminale të Elbasanit, Durrësit, Vlorës, Shkodrës etj, me disa prej të cilëve Taulanti është akuzar se ka lidhje direkte. / Zoom.al