zoom

In Zoom

Nga “sms” për Mihajlovicin te mbrojtja me kokëfortësi e Bregovicit/ Rama nuk gjen paqe. Komentuesit e kryqëzojnë

Edi Rama nuk po gjen paqe. Pasi nuk u tërhoq përballë ndjeshmërisë së shqiptarëve në Kosovë e Shqipëri për të mos e sjellë Goran Bregovicin të këndonte në Korçë, ka nisur një fushatë për t’ia lënë fajin dikujt tjetër për çfarë prodhoi kokëfortësia e tij.

Është pikërisht kokëfortësia ajo po tregon edhe në përplasjet verbale që ka me komentuesit e shumtë që po i tregojnë se arsyetimi pas faktit të kryer është i kotë.

I trazuar nga kritikat e shumta që po merr, kryeministri shkruajti sërish një status për të prodhuar një tjetër front ku atij i duket se mund ta fitojë një betejë që e ka humbur që pa nisur me Kosovën, duke e trajtuar atë dhe politkanët e saj si miq të dorës së dytë e duke ulur në vendin e nderit serbin Aleksandër Vucic dhe personazhe të tjerë të njohur në Beograd. Thotë se nuk ka barazuar Dua Lipën me Bregovicin, në një kohë që askush s’e ka akuzuar për diçka të tillë dhe e quan histeri fashiste valën e kritikave kundër tij.

 “NJË KOMENT PËR KOMENTET E KINSE PATRIOTËVE

Ashtu siç bënë Bregoviçin kriminel serb pa asnjë fakt, tani sokëllijnë që unë paskam barazuar Dua Lipën me të! Dhe histeria vazhdon por jo, unë nuk kam barazuar hiçfare Dua Lipën me Goran Bregoviçin, po kam thënë me një shembull të vërtetën e hidhur se të barabartë, njësoj krejt janë ata që shajnë e mallkojnë, në serbisht a në shqip, artistët e sportistët me emër të palës tjetër! Histeri fashiste që as nuk e mbron, as e nderon, po vetëm e turpëron shqiptarinë, e cila s’mund të jetë kurrë shembëlltyrë e urrejtjes!”

 Përgjigjet nuk kanë vonuar. Një komentues i shkruan se arsyetimi që po bën dëshmon se Rama është fajtor.

“T’kisha preferu me u ndal. Nuk arrin asgjekundi, vetem me thellë po futesh. Nuk kishit nevoj per Bregovičin dhe tani nuk ke nevoj te arsyetosh. Arsyetimi eshte shenje e pranimit te fajit. Rri i qit me mu*in qe ke bërë”.

Ky është komenti, të cilit kryeministri ka zgjedhur t’i përgjigjet, duke treguar hapur kokëfortësinë përpara ndjeshmërisë së të tjerëve dhe arsyes.

“Mentor Hajdini sikur une te isha nga ata qe ndalen perpara histerise se padijes, urrejtjes, shpifjeve e mallkimeve, nuk do te isha sot i privilegjuar nga shumica e shqiptareve per te udhehequr Shqiperine per mandatin e trete radhazi! Sa per fajin, faj eshte te urresh, te shash e te mallkosh duke ia bere tjetrit te njejten gje qe te kane bere ty, vetem pse flet nje gjuhe tjeter!”, shkruan rama.

Por një komentues tjetër i përgjigjet se ai krahasimet që ai bën janë qesharake.

“Edi Rama Nuk eshte vetem puna e ketij kengetarit serb, ju vazhdimisht beni kesi lloj krahasime! Ndoshta ju ndihmon ne takimin e radhes me Vucic, per te treguar sa njejte popujte tane jane… qesharake!!!”.

Por pavarësisht ndjeshmërisë që ka shkaktuar, kryeministri i Shqipërisë ka vijuar ta mbrojë Goran Bregovicin përballë komentuesve, të cilët duke se janë në shumicë nga Kosova.

Duke zgjedhur Bregovicin përballë gjithë atyre që po e kritikojnë, kryeministri mund të mendojë si jo pak herë gjatë qerverisjes së tij, se është reshtuar në anën e drejtë të historisë.

Por po ashtu ai po tregon dobësinë që ka për disa nga personazhet e njohur serbë, siç dëshmoi mesazhi plot simpati për Sinisa Mihajloviç, një futbollist serb që ka mbrojtur hapur regjimin e Milloshevicit teksa ai kryente masakra mbi shqiptarë e Kosovës.

Zoom.al po e sjell të plotë mesazhin që Rama i dërgoi futbollistit serb teksa gjendej nën shoqërinë e mikut të tij, presidentit Aleksandër Vucici, një “sms” që kryeministri mbajti të fshehtë, derisa Mihajlovic e publikoi në librin e tij autobiografik.

MESAZHI I RAMES PER MIHAJLOVICIN

“I dashur mister, jam Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, ish-lojtar i Kombëtares së basketbollit shqiptar dhe një admirues i vjetër i Sampdorias së Vujadin Boshkovit. E mora numrin tuaj të telefonit nëpërmjet mikut tonë të përbashkët, Aleksandar Vuçiç.

Folëm për ju dje në mbrëmje këtu në Novi Sad. Kam dashur gjithnjë t’ju shprehja admirimin tim për egërsinë me të cilën po përballoni armikun tuaj më të frikshëm të jetës, por edhe për t’ju thënë se pasi keni mundur shumë portierë direkt nga goditjet e dënimit, ju me siguri jeni i zoti të mundni edhe hijen që është vendosur mes jush dhe portës tuaj të së ardhmes.

 E di shumë mirë rrezikun që mesazhe të tilla solidariteti mund të bëhen të mërzitshme për një kokëfortë si puna juaj, por ju siguroj se ky i imi nuk është një mesazh i kësaj natyre. Përkundrazi, është shprehje e një admirimi antik.

 Ju kërkoj ndjesë që nuk arrita t’ju shpreh më mirë ndjenjën e vlerësimit të lartë dhe simpatisë kundrejt jush, por nëse do të duhej një dëshmitar, atëherë miku ynë i përbashkët mund t’ju sigurojë se, tashmë prej vitesh, nuk ndodh asnjëherë që të mos flasim për ju si një figurë speciale në botën e futbollit.

Duke ju uruar gjithë të mirat juve dhe të dashurve tuaj, nuk po ju bezdis më me shpresën se një ditë do të mund t’ju takoj personalisht. ER”.

Është pikërisht sjellja tepër miqësore me presidentin serb apo simpatia e shprehur sa fshehurazi sa hapur për figura të njohura serbe dhe qëndrimet kritike ndaj Kosovës dhe politikanëve të saj, ajo që e ka vënë prej vitesh kryeministrin Rama përballë të gjithë shqiptarëve të Kosovës dhe mjaft të tjerëve në Shqipëri, të cilët ai i quan pseudopatriotë.

Kryeministri i shpalli “luftë” të hapur ish –kryeministrit Haradinaj kur ai denoncoi planin Rama – Thaçi – Vuçic për ndryshimin e kufijve. E paditi për shpifje e më pas u tërhoq. Tani është e dukshme që me mediat pranë tij ai ka ndërmarrë një fushatë sulmi kundër kryeministrit aktual Albin Kurti.

Ai nuk kurseu as “vëllain” e tij  Hashim Thaçi kur ai e bojkotoi në një prej takimeve me Vucicin për “minishengenin”.

Me qëndrimet e tij, Rama është bërë padyshim kryeministri shqiptar më me pak mbështetje në Kosovë dhe ka bërë që të harrohet edhe Fatos Nano, i cili nuk pëlqehej në Kosovë për shkak të një takimi që ai u përfol se kishte zhvilluar me Sllobodan Milloshevicin në Kretë. /Zoom.al